Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e nxënësve nuk janë pajisur me libra në këtë fillim të vitit të ri shkollor.
“Pajisja me libra në këtë fillim vit nuk duket shumë e kënaqshme, për arsye se një pjesë e madhe e nxënësve nuk janë të furnizuar me libra. Ndoshta ka qenë edhe një arsye takimi me 2 shtator mësimdhënës-nxënës, por sot pashë një interesim më të madh duke pasur parasysh se ne kemi vetëm një pikë në Deçan të furnizimit me libra, edhe besoj që mirë po shkon”, ka deklaruar ai në emisionin “Rreth e Rrotull”.
Hulaj u ka bërë thirrje prindërve që t’i përmbahen katalogut të librave.
Po ashtu, ai ka thënë se të hënën, kur tashmë ka filluar viti i ri shkollor, disa prindër janë ankuar se nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë për subvencionimin e librave.
“Kjo shpërndarje e librave dhe këtë vit edhe vitin e kaluar po konsiderohet si test, mirëpo ne me datë 8 korrik e kemi dorëzuar edhe fizikisht edhe përmes email-it në Ministri përzgjedhjen e librave që është bërë nga mësimdhënësit. Ne të gjitha i kemi bërë në kohë pak me vonesë ka ardhur katalogu i librave, ta shohim ditëve në vijim edhe dalim me statistikë të kompletimit të nxënësve me libra. E rrugës është t’iu përmbahen katalogut, përderisa na është dërguar nga ministria, ne si DKA duhet të kujdesemi që t’i përmbahen në tërësi. Sot brenda zyrave kemi pasur ankesa nga disa prindër që ende nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë për subvencionim për libra”, ka thënë Hulaj.


