Elisa Spiropali njoftoi se mbledhja e Këshillit për Legjislacionin do të zhvillohet më datën 27 gusht ora 11:00, jashtë sesionit parlamentar.
Lidhur me këtë njoftim, ka reaguar dhe Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD.
Bardhi në reagimin e tij e konsideron urdhërin e Spiropalit, Kryetares së Kuvendit, për mos thirrjen e sesionit të jashtëzakonshëm të Kuvendit si anti-Kushtetuese.
“Kryetarja e Kuvendit ka miratuar një urdhër antikushtetues. Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbledhje e Këshillit të Legjislacionit, përveçse zvarritje e panevojshme e procedurës për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, është konsideruar edhe një procedurë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Në paragrafin 61 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese theksohet se: “Gjykata vlerëson se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare”. Zvarritja 2 vjeçare e kësaj çështje, mos zbatimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mbrojtje politike nga drejtësia të një deputeti të mazhorancës, bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës.
Është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dënojmë me forcë standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”. Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, thotë Bardhi.
Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar menjëherë ndaj Gazmend Bardhit, pasi ky i fundit shprehu pakënaqësitë e tij lidhur me njoftimin e Spiropalit për mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.
Në një sqarim të detajuar të të gjithë procedurës, Kuvendi ndër të tjera, sqaron “hapat” që ndiqen për mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.
Në njoftim thuhet se pasur një raport të Këshillit të Legjislacionit, nuk mund të ketë thirrje të një sesioni të jashtëzakonshëm të Parlamentit.
“Këshilli për Legjislacionin është organi i Kuvendit, i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çëhstjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë dhe haron një raport të cilin ia paraqet Kryetarit të Kuvendit.
Për rrjedhojë, kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit për Legjislacionin, i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin e nenit 74, pika 3 të Kushtetutës dhe nenit 42, pika 2, të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në një reagim të Kryeparlamentares, Elisa Spiropali. /vizionplus.tv










