Në zgjedhjet e dyfishta – presidenciale dhe parlamentare, edhe pse herë pas here pati një fushatë të zezë, retorika zgjedhore u zhvillua brenda kufijve të pritshëm, vlerësojnë analistët politikë për “Frontline”. Sipas tyre, tema e integrimit në BE dhe ndryshimet kushtetuese është e vetmja rrugë e mundshme për përparimin e shtetit në rrugën drejt BE-së dhe prej andej thonë se është e natyrshme që ajo temë të jetë bartëse e një fushate zgjedhore, por në raste të caktuara po shtyheshin shumë.
“Tema e së ardhmes së integrimit në BE është në fakt tema më e madhe me të cilën po ballafaqohemi si shtet, ndryshimet kushtetuese janë e vetmja rrugë e mundshme për përparim në integrimin në BE. Prej aty, është e natyrshme që ajo temë të jetë kryesore, dmth kryesore në këto zgjedhje. Kam përshtypjen se në vitin 2024, LSDM-ja nuk do të jetë në gjendje t’i bindë votuesit e saj potencial që t’i besojnë edhe një herë, atë që Zaev ka mundur ta bëjë në vitin 2020. Megjithatë, 7 vjet në pushtet janë një periudhë e mjaftueshme për rezultate konkrete në lidhje me sundimin e ligjit dhe korrupsionin. VMRO-DPMNE zhvilloi një fushatë solide duke u fokusuar në dështimet e LSDM-së në çështjet e “drejtësisë dhe paqes” – thelbësore për votuesit e LSDM-së. Janë edhe “ping-pong” notat nacionaliste të VMRO-së dhe BDI-së të cilat vetëm sa ndihmuan në largimin e fushatës nga tema e integrimit në BE, sigurisht që VMRO dhe BDI përfitojnë nga zhvillimi i tillë i fushatës, thotë Besim Nebiu – analist politik për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Ai pret që rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 24 prill të jenë kryesisht të përhapura.
“Pres që të dalin një numër më i madh votuesish në krahasim me 24 prillin, por mendoj se në përgjithësi efekti i tyre nuk do të jetë aq drastik në përcaktimin e fituesit, por do të ndikojë në kombinatorikën për një qeveri të re, potencoi Nebiu.
Gazetari dhe analisti politik,Aco Kabranov thotë se populli është lodhur duke pritur me vite në portat e BE-së, nuk dëshiron të dëgjojë për premtime se do t’ia dalim kësaj radhe dhe për këtë mendoj se partitë në pushtet gabuan duke sforcuar temën e integrimit në BE.
“Është e qartë se populli është lodhur duke pritur me vite në portat e BE-së. Ai nuk dëshiron të dëgjojë për premtimet se do t’ia dalim kësaj radhe dhe prandaj mendoj se partitë në pushtet gabuan duke sforcuar integrimet në BE, se vetëm ato mund të na sjellin në shoqërinë evropiane. Sado të drejtë të kenë, duhet të kishin kujdes që mesazhet e mbitheksuara për BE-në në fushatë të kishin efekt të kundërt, qytetarët duan tani e tutje paga më të larta, një jetë më dinjitoze, drejtësi jo selektive… , analizon Kabranov për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Jo se në fushatën e opozitës, shton bashkëbiseduesi ynë, qytetarët i njohën kërkesat e tyre, “thjesht votuan për të ndëshkuar qeverinë këtë herë”.
“Sinqerisht nuk pres një kthesë më 8 maj, në raundin e dytë të votimit për president dhe në zgjedhjet parlamentare”-nënvizoi ai.
Qenan Aliu – analist politik vlerëson se çështja e integrimeve evropiane dhe ndryshimet kushtetuese edhe pse dominuan në fushatën zgjedhore, këto tema u ekzagjeruan sa më shumë nga partitë në pushtet.
“Shumë pak u fol për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe përmirësimin e tyre. Eurointegrimet janë temë për gati dy dekada që kur vendi ka marrë statusin kandidat për në BE dhe ky proces kërkon punë dhe reforma nga çdo qeveri, ky proces nuk është vetëm retorikë PRO dhe KUNDËR. Mendoj se vendi do të ketë president, por rezultati i zgjedhjeve parlamentare padyshim do të jetë në favor të koalicionit të VMRO DPMNE-së, por do të merret parasysh edhe rezultati i partisë ZNAM të Dimitrievskit dhe Levicës. Ndërkohë, rezultati për dy blloqet e partive shqiptare do të jetë me avantazhe të ngushta” – tha Aliu për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Siljanovska Davkova lufton për mandatin e parë, ndërsa Pendarovski për një mandat tjetër
Kandidatë për president të ri të shtetit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovski, i mbështetur nga LSDM-ja. Votimi është të mërkurën, më 8 maj, paralelisht me zgjedhjet parlamentare.
President zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave nga zgjedhësit që kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se 40 për qind e votuesve. Nëse në raundin e dytë të votimit asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e nevojshme të votave, e gjithë procedura e zgjedhjes përsëritet. Nëse realizohet cenzusi dhe zgjidhet presidenti i vendit, inaugurimi i tij duhet të bëhet më 12 maj.
Më 8 maj qytetarët do të mund të shkojnë në qendrat e votimit vetëm një herë dhe të votojnë për të dyja llojet e zgjedhjeve ose të votojnë vetëm për zgjedhjet presidenciale apo parlamentare. Identifikimi do të bëhet me të ashtuquajturat pajisjet e gjurmëve të gishtërinjve.
Më 7 maj, mërgimtarët do të votojnë për zgjedhjet presidenciale, ndërsa të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit, të moshuarit dhe dy të shpërngulur do të votojnë si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare. Votimi të mërkurën, më 8 maj, në 3480 vendvotime fillon në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Rezultatet e votimit pritet të dihen më së voni deri në mesnatë. Kjo është hera e dytë që Siljanovska Davkova dhe Pendarovski të jenë kundërkandidatë në zgjedhjet për president të shtetit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, Pendarovski fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë 1.814.317 zgjedhës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 1.815.350 zgjedhës
Më 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë të drejtë të votojnë 1.814.317 zgjedhës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare kanë të drejtë vote 1.815.350 zgjedhës. Diferenca në vota është 1033, përgjithësisht për shkak të moshës madhore të qytetarëve.
Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kanë 1.814.317 zgjedhës. Nga këta, 1.713.758 zgjedhës janë të regjistruar në ekstraktet nga Lista zgjedhore për votim në shtet.
2.569 zgjedhës janë regjistruar në ekstraktet e veçanta të Listës zgjedhore për personat që kanë paraqitur kërkesë për votim në përfaqësitë diplomatike konsullore ose zyrat konsullore dhe 2.147 zgjedhës në burgje ose në paraburgim. Gjithashtu janë regjistruar 534 votues në ambientet e përkujdesjes jashtë familjes, si dhe dy persona të zhvendosur brenda vendit janë regjistruar në Listën zgjedhore.
Të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare kanë 1.815.350 zgjedhës. Në ekstraktet nga Lista Zgjedhore për votim janë regjistruar 1.716.664 zgjedhës, ndërsa në ekstraktin e veçantë nga Lista Zgjedhore për personat të cilët sipas evidencës së organit kompetent janë në punë të përkohshme ose me qëndrim jashtë vendit janë regjistruar 96.010 votues. Votimi për zgjedhjet parlamentare në diasporë nuk do të bëhet për shkak se nuk është regjistruar një numër i mjaftueshëm i qytetarëve tanë.
Një ditë para zgjedhjeve, më 7 maj, votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale, si dhe të burgosurit dhe personat në paraburgim, numri i të cilëve sipas deklaratës së posaçme në Listën Zgjedhore është 2140, si dhe personat në institucionet e kujdesit jashtëfamiljar – 534 votues dhe dy persona të zhvendosur brenda vendit.(PRESSonline.al)


