Ndërkohë që fokusi i opinionit është te zgjedhjet presidenciale dhe procesi i mbledhjes së firmave të nevojshme për kandidaturat, partitë politike po punojnë aktivisht për “përshtatjen” e listave për deputetë në të gjashtë njësitë zgjedhore. Në opinion, në qarqet politike tashmë po dalin informacione të caktuara se cilët do të jenë kryesuesit e listave parlamentare sipas njësive zgjedhore, shkruan PRESSonline.al
Në LSDM është e qartë se në njësinë e parë zgjedhore do të jetë lideri dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa sipas informacioneve publike, e dyta në listë në këtë njësi zgjedhore do të ishte kryetarja e LDP-së, Monika Zajkova.
Në njësinë e dytë zgjedhore listën do ta udhëheqë tandemi Sanja Lukarevska – Fatmir Bytyqi, ndërsa Oliver Spasovski nga njësia e dytë zgjedhore do të kalojë në njësinë e tretë zgjedhore ku do ta kryesonte listën me ministrin e Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Siç mëson PRESSonline.al nga burime partiake, në njësinë e katërt zgjedhore, dy vendet e para në lista do të rezervoheshin për ish-nënkryetarin e LSDM-së dhe ish-ministër të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe për kryetaren e Forumit të Grave të LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Në njësinë e pestë zgjedhore ende ka dyshime nëse pozita e parë do t’i takonte kryetarit aktual të Kuvendit, Jovan Mitreski apo sekretarit të përgjithshëm të partisë Mile Zeçeviq, ndërsa pozita e dytë i rezervohet nënkryetares së partisë dhe ministres së kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska.
Në njësinë e gjashtë, sikur në të dytën, bartëse do të jetë zonjë, gjegjësisht ministrja Sllavjanka Petrovska, kurse pas saj kryetari i rinisë së LSDM-së, Marko Mihailoski.
Megjithatë, këto janë ende informacione jozyrtare, dhe fjalën përfundimtare se si do të jenë listat dhe kush do të jenë në to, do ta kenë organet dhe autoritetet partiake, të cilat do të duhet të marrin një vendim përfundimtar në mesin e muajit të ardhshëm.
Gjatë kësaj periudhe pritet që të konfirmohen listat e deputetëve të partive të tjera politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.(PRESSonline.al)


