Një tjetër emër i njohur i është bashkuar mbështetjes për reperin Macklemore, pas largimit të tij nga pjesa amerikane e turneut të Ed Sheeran. Bëhet fjalë për shtatë herë kampionin e Formula 1, Lewis Hamilton, i cili ka reaguar publikisht në rrjetet sociale në mbështetje të reperit amerikan. Hamilton komentoi në postimin e gjatë të Macklemore në Instagram, ku reperi foli për largimin e tij nga turneu “Loop Tour”, duke shkruar: “Faleminderit që përdor zërin tënd. Jam me ty.”
Macklemore u hoq nga datat e mbetura të turneut në SHBA pasi gjatë performancave të tij në MetLife Stadium, në East Rutherford të New Jersey-t, më 4 dhe 5 shtator, bëri deklarata në mbështetje të Palestinës. Në një reagim të gjatë pas vendimit, reperi theksoi se nuk e sheh veten si viktimë dhe se vëmendja, sipas tij, duhet të përqendrohet te pasojat njerëzore të luftës në Gaza.
Promotori i turneut, Messina Touring Group, deklaroi se disa prej ambienteve ku ishin planifikuar koncertet e ardhshme nuk do të lejonin që Macklemore të ishte pjesë e programit. Ndërkohë, vetë Ed Sheeran u distancua nga vendimi për largimin e reperit, duke thënë se zgjedhja ishte bërë nga organizatorët e koncerteve dhe pronarët e ambienteve. Sheeran deklaroi gjithashtu se ka pikëpamjet e tij personale për luftën, por ka zgjedhur të mos i shprehë publikisht. Pas këtij zhvillimi, disa prej artistëve të tjerë që do të performonin si pjesë e turneut, mes tyre Finneas, Lukas Graham dhe Aaron Rowe, njoftuan tërheqjen e tyre në shenjë solidariteti me Macklemore.


