Klara Sanduloviq, pas vizitës që bëri gjatë ditës së shtunë në memorialin “Adem Jashari”, në Prekaz është ndaluar në pikën kufitare në Merdare nga Policia serbe.
Kështu bëri të ditur babai i saj, politikani serb, Nikolla Sanduloviq, i cili theksoi se regjimi i Beogradit po vazhdon të persekutoj vajzën e tij, Klarën.
“Regjimi diktatorial i Aleksandër Vuçiqit vazhdon të persekutojë vajzën time Klara. Policia e mban atë së bashku me zyrtarët e Partisë Republikane në pikën kufitare Merdare dhe nuk i lejon të hyjnë në Serbi”, ka shkruar në X Sanduloviq.
The dictatorial regime of Aleksandar Vucic continues to persecute my daughter Klara. The police are holding her together with the officials of the Republican Party at the Merdare border crossing and do not allow them to enter Serbia.@aliciakearns @MichaelPolakLaw @David_Cameron
— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) January 27, 2024
Pak javë më parë politikani opozitar serb, Sanduloviq u maltretua në Serbi për shkak të vizitës në Prekaz.
Anëtarë të BIA-s serbe në fillim të janarit arrestuan dhe keqtrajtuan Sanduloviqin, vetëm pse kishte shpërndarë pamjet nga vizita e tij në Prekaz para një viti.
Gjithashtu, për të bërë homazhe në Prekaz javën e kaluar ishte edhe avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, i cili me tu kthyer në Serbi u mor në pyetje nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.
Klara, ngjashëm si babai (Nikolla), u përkul para varrit të Blerina Jasharit dhe kërkoi falje për krimet e shtetit të saj ndaj shqiptarëve.
“Veprimi i babait tim ishte shumë paqësor ndërsa Qeveria serbe konsideroi që ai kishte kryer një krim prandaj sot vendosa të bëhem kriminele si babai im dhe vendosa të vi këtu e të shpreh ngushëllimet e mija për të gjitha viktimat e pafajshme, në mënyrë që gjenerata ime të vetëdijesohet që duhet të ndalim urrejtjen e të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu të kërkojmë falje”, ka thënë ajo.
Bashkë me vajzën e Nikola Sandulloviqit ishte edhe nënkryetari i partisë së tij, Mihajlo Todiq, i cili tha se erdhi në Kompleksin Memorial për të kërkuar falje për krimet e Serbisë.
“Kam ardhur në mënyrë që edhe personalisht e edhe përpara delegacionit të Partisë Republikane të bëj nderime, të vendos kurorë lulesh dhe të përkulem përpara varrit të Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare që e humbi jetën tragjikisht nga ana e forcave të errëta, të cilat ishin pjesë e politikës destruktive serbe të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar”, ka than Todiq.


