Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Xhejms O’Brajan, në një intervistë për MIA-n, shpreh besimin se e njëjta frymë uniteti që, siç thotë ai, e ka treguar Bashkimi Evropian në samitin e dhjetorit, kur u mor vendimi për fillimin e negociatave me Ukrainën do të mbizotërojë edhe në lidhje me pengesat me të cilat përballen vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Ai thekson se zgjedhjet e ardhshme të dyfishta janë një zgjedhje e qartë mes njerëzve që kanë rrugën drejt Evropës dhe njerëzve, e kaluara e të cilëve tregon se nuk janë të interesuar të anëtarësohen në BE.
“Shembulli i vendimit për Ukrainën tregon unitetin në Bashkimin Evropian në lidhje me zgjerimin. Ky unitet ka kohë që ka munguar, por tani ka një angazhim dhe njohje se tani është momenti për të. Besoj se e njëjta frymë do të mbizotërojë në lidhje me disa nga pengesat për secilin vend në veçanti, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ndërmori hapa të guximshëm, ndryshoi emrin dhe Kushtetutën dhe tani përballet me një kërkesë tjetër, por fokusi i politikave evropiane dhe gjeopolitika është që të gjitha vendet të jenë pjesë e BE-së. Dhe përsëri, kjo është arsyeja pse këto zgjedhje kanë rëndësi. Nëse njerëzit vazhdojnë në rrugën në të cilën janë, kam besim se procesi do të ecë përpara në vitet e ardhshme. Nëse shpenzohen vite duke kërkuar një rrugë tjetër, mendoj se kjo do të ngadalësojë përparimin e vendit drejt Evropës”, tha O’Brajan, përcjell PRESSonline.al
Duke folur për ndryshimet kushtetuese dhe sigurinë se ato nuk do të miratohen në përbërjen aktuale, por edhe qëndrimin e opozitës VMRO-DPMNE se nuk i pranon diktatet bullgare dhe se pas ardhjes në pushtet do të kërkojë zgjidhje për integrim evropian, diplomati amerikan thotë se në proceset e ardhshme është veçanërisht e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë dhe të shprehin qëndrimet e tyre.
“Kjo është arsyeja pse është veçanërisht e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë dhe të shprehin qartë pikëpamjet e tyre. Siç thashë gjatë vizitës sime të mëparshme në nëntor, është e rëndësishme të pyesim kandidatët se cili është plani i tyre për të ardhmen. Ka një rrugë që është e shënuar, kjo është kontraverse dhe secili qytetar duhet të marrë vendimin e tij. Dhe ka një rrugë që nuk dihet, por pyetja e duhur është nëse ekziston me të vërtetë apo është thjesht një mënyrë e përshtatshme për të shmangur të thënit se në të vërtetë nuk ka një rrugë të tillë”, thotë O’Brajan, përcjell PRESSonline.al
Sa i përket vizitës së liderëve të tri partive opozitare shqiptare, pjesë e “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, Gashi, Kasami dhe Mexhiti, në SHBA pak para zgjedhjeve të ardhshme, O’Brajan nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, por vuri në dukje se sa më e fragmentuar të jetë hapësira politike, aq më i paqartë do të jetë mesazhi.
Megjithatë, ky është një vendim që duhet ta marrin politikanët dhe qytetarët, shtoi O’Brajan.


