Vitin e kaluar qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë shpenzuar 156,2 milionë euro për të blerë produkte dhe shërbime me kartela pagese nga e-tregtarët e huaj, që paraqet një rritje prej 46,31 për qind në krahasim me vitin 2021, informon PRESSonline.al.
Analiza e bërë nga Asociacioni për tregti elektronike të Maqedonisë (AETM) bazuar në të dhënat e publikuara nga Banka Popullore tregon se numri i e-transaksioneve të bëra nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut që bëjnë blerje online jashtë vendit është rritur për 21,1 për qind.
Ata më së shumti kanë shpenzuar vitin e kaluar në Britaninë e Madhe (21,8 milionë euro), ndërsa numrin më të madh të transaksioneve e kanë bërë në Luksemburg (865,9 mijë euro).
“Vlera më e madhe e realizuar nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut ndaj Britanisë së Madhe, Hungarisë dhe Holandës është e pritshme nëse merret parasysh se Amazon UK, ASOS (Britania e Madhe), WizzAir (Hungari) dhe Booking.com (Holandë) e kanë origjinën nga këto vende. Nëse merret parasysh se degët evropiane të Amazon dhe AliExpress janë të regjistruara në Luksemburg, përmes të cilave kryhen transaksione për shumicën e vendeve evropiane, me përjashtim të Britanisë së Madhe, numri më i madh i transaksioneve të kryera në Luksemburg me vlerën mesatare më të ulët është gjithashtu diçka e pritshme, sipas AETM. / PRESSonline.al.