Të enjten është paralajmëruar se në Tetovë do të qëndrojë për vizitë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Me këtë rast, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë do të vendosë një regjim të veçantë të komunikacionit në zonën qendrore të qytetit nga ora 5:00 e mëngjesit deri në përfundim të vizitës zyrtare. Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Iliria”, nga kryqëzimi me rrugën ‘Vidoja Smilevski-Bato’ deri në kryqëzimin me rrugën ‘Bllagoja Toska’. Gjithashtu, nuk do të lejohet parkimi në rrugën ‘JNA’, nga kryqëzimi me rrugën ‘Dimo Gavrovski’ deri në bulevardin ‘Ilindenska’, si dhe në bulevardin ‘Ilinden’, në kryqëzimi me bulevardin ‘Iliria’ deri në udhëkryqin me rrugën “JNA”.
“Në të gjitha rrugët e tjera të qytetit ku parkimi është tashmë i ndaluar, automjetet do të sanksionohen dhe tërhiqen, për të siguruar lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë të rrugës. SPB-Tetovë apelon qytetarët që të enjten, më 27 prill, të mos lëvizin me automjetet e tyre në zonën qendrore të qytetit pa nevojë të domosdoshme dhe imediate, por edhe të kenë mirëkuptim dhe durim për ndryshimin e regjimit të komunikacionit dhe të respektojnë dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat, urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, me ç’rast në mënyrë direkte do të kontribuojnë në realizimin e sigurt të vizitës zyrtare të delegacionit kosovar”, njoftojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pritet që të arrijë në komunën e Tetovës mesditën e së enjtes kur edhe do të realizojë një takim me kryetarin e komunës së Tetovës Bilall Kasami. Pas takimit është paraparë edhe pres konferencë për mediat. Ndërkaq, më pas presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të vizitojë shkollën fillore Liria në Tetovës. Pas kësaj, presidentja Osmani, nën shoqërimin e kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami do të qëndrojnë në qendër të Tetovës, ndërsa më pas do të ketë edhe një vizitë në Xhaminë e Pashës në Tetovë. (U.H/Koha.mk)



