1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Pançev: Kosova veproi mirë për zgjedhjet në veri, Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen

Pançev: Kosova veproi mirë për zgjedhjet në veri, Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen

featured

Njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, thotë se Kosova ka vepruar mirë që ka insistuar për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me 23 prill, pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe.

Ai deklaron se nuk pret të ketë trazira të dielën në veri, megjithëse ekstremistë serbë mund të kenë skenarë për destabilizimin e asaj pjese.

“Republika e Kosovës duhet të ndjek në mënyrë strikte ligjet e veta dhe gjithçka duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas dëshirave politike, gjeopolitike dhe presioneve të jashtme. Vetëm kështu Kosova do të zhvillohet si një shtet sovran dhe krejtësisht të pavarur. Kosova nuk është dashur të bëjë lëshime në këtë drejtim”, thotë ai.

Pançev, i cili është edhe albanolog, thotë se Serbia e di mirë se nuk mund të lejojë trazira në veri pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit.

“Për fat të keq unë mendoj se prapë do të shohim skenarët e ekstremistëve serbë në Kosovë, por besoj se tani nuk do të kenë kaq shumë fuqi që të shkaktojnë trazira.

Nga Beogradi e dinë mirë se nuk mund të lejojnë trazira masive për shkak të marrëveshjes së nënshkruar dhe presionit ndërkombëtar mbi Beogradin që të ndryshojë qasjen ekstremiste ndaj Kosovës dhe agresionin rus në Ukrainë. Besoj se nuk do të ketë trazira të mëdha, por prapë se prapë ekstremistët serbë do të tregojnë edhe një herë se nuk do të pranojnë qetësimin e situatës.

Do të ketë ndoshta incidente të vogla, por besoj se Policia e Kosovës do të reagojë”, shton Pançev.

Në anën tjetër, njohësi bullgar i zhvillimeve në Prishtinë është skeptik që Serbia do të zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën.

“Jam skeptik se për më shumë se një dekadë e ndjek politikën e Beogradit. Ata ishin në presion të fortë nga partnerët perëndimorë dhe tani mendoj se do të presin rezultate pozitive nga pikëpamja e Beogradit në Ukrainë, nëse agresioni rus atje do të ketë ndonjë sukses tjetër, atëherë në Beograd do të harrojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe do të kthehen në pozitat e tyre të vjetra.

Beogradi tani deklaron se ka pranuar marrëveshjen, por unë nuk besoj në sinqeritetin e Vuçiqit. Ata do të përdorin të gjitha veglat e mundshme për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes dhe do të akuzojnë Kosovën se nuk po zbatojnë marrëveshjet, kryesisht për Asociacionin”, thotë ai./kp

Pançev: Kosova veproi mirë për zgjedhjet në veri, Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.