Forcat ajrore ruse aksidentalisht hedhin një bombë në qytetin e tyre

featured

Ushtria ruse pranoi se një bombë e hedhur aksidentalisht nga një prej avionëve të saj luftarakë shkaktoi një shpërthim të fuqishëm në një qytet rus afër kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy njerëz dhe duke frikësuar banorët vendas.

Belgorodi, një qytet me 340 mijë banorë që ndodhet rreth 40 kilometra në lindje të kufirit Rusi-Ukrainë, është përballur me sulme të rregullta me dronë gjatë operacionit aktual ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Autoritetet ruse kanë fajësuar për sulmet e mëparshme ushtrinë ukrainase, e cila asnjëherë nuk ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë për sulmet.

Shpërthimi i së enjtes vonë ishte shumë më i fuqishëm se çdo gjë tjetër që banorët e Belgorodit kanë përjetuar. Dëshmitarët thanë se dëgjuan një tingull fëshfërime që u pasua nga një shpërthim që drodhi ndërtesat aty pranë dhe theu xhamat e dritareve.

Shpërthimi krijoi një gropë 20 metra të gjerë në mes të një rruge me pemë të rrethuar nga blloqe apartamentesh, dëmtoi disa makina dhe hodhi një makinë në çatinë e një dyqani. Dy persona u plagosën dhe një person i tretë u shtrua më vonë në spital, sipas autoriteteve.

Menjëherë pas shpërthimit, komentatorët rusë dhe blogerët ushtarakë filluan të nxirrnin teori të ndryshme mbi llojin e armës të përdorur nga Ukraina për sulmin. Shumë prej tyre bënë thirrje për ndëshkim të fortë.

Por rreth një orë më vonë, Ministria ruse e Mbrojtjes pranoi se një bombë e lëshuar aksidentalisht nga një prej bombarduesve të saj Su-34 shkaktoi shpërthimin. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha detaje të mëtejshme, por ekspertët ushtarakë thanë se ka të ngjarë të ishte një bombë e fuqishme që peshonte 500 kilogramë.

Në tetor, një avion luftarak rus u rrëzua pranë një ndërtese banimi në qytetin port të Yeyskit në Detin Azov, duke vrarë 15 njerëz. Në Yeysk ndodhet një bazë e madhe ajrore ruse me avionë luftarakë që fluturojnë në misione ushtarake në Ukrainë.

Ekspertët ushtarakë kanë vënë në dukje se ndërsa numri i fluturimeve ushtarake ruse është rritur ndjeshëm gjatë luftimeve, po ashtu janë rritur edhe rrëzimet e avionëve dhe të shtënat aksidentale.

Në një tjetër incident vdekjeprurës në rajonin e Belgorodit, dy ushtarë vullnetarë qëlluan ndaj trupave ruse në një poligon ushtarak, duke vrarë 11 dhe plagosur 15 të tjerë, përpara se të qëlloheshin për vdekje.


Top Channel

Forcat ajrore ruse aksidentalisht hedhin një bombë në qytetin e tyre
|