Sheshi dhe rrugët e qytetit të Strugës janë të mbushura plot me qytetarë të cilët po bëjnë përgatitje për festën e Fitër Bajramit. Më shumë blejnë produkte ushqimore në supermarkete, por edhe tekstil kryesisht për fëmijët.
Qytetarët ankohen se çmimet e produkteve janë shumë të larta dhe të papërballueshme për standardin e jetesës sonë, ndërsa edhe tregtarët thonë se ka një rënie të ndjeshme në sasinë e blerjeve.
“Katastrofë, mjerë ai popull që me aq rrogë të vogël, ato e dinë si i përballojnë me familjen, familjen e kemi jashtë, disa këtu disa atje.”, – tha një qytetar.
“Shtrenjtësia nuk është mirë se ka shumë njerëz që janë të varfër dhe kanë nevojë që të blejnë diçka të gëzojnë fëmijët, mirëpo nuk kanë mundësi, por do të kalojmë disi.”, – tha një qytetar tjetër.
“Po jemi përgatitur, si gjithë myslimanët edhe ne jemi përgatitur, kemi agjëruar, të gjithëve gëzuar festën. Tekstil sipas nevojës, kush ka fëmijë të vegjël, mish dhe gjëra të tjera të imta. Sivjet janë pak shtrenjtë, por do ta kalojmë.”, – u shpreh një qytetar.
“Po patjetër përgatitemi. Blejmë mish prej shqerre çfarë të blejmë tjetër? Shtrenjtë janë, por do ta përballojmë. Do ta festojmë me familjen.”, – theksoi një qytetar.
“I kanë rritur çmimet pa masë, tash isha te pazari jeshil dhe çmimet janë të larta, me këto çmime s’mund të jetohet dhe si popull po vuajmë dhe ndikon shumë kjo se njeriu do prej gjithçkaje të marrë diçka të çojë në shtëpi për të festuar.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Po si zakonisht blejnë, më shumë blejnë për fëmijë, por si viteve tjera jo, kriza e ka bërë të vetën, por nuk është keq. Ka ndikuar kriza shumë tek tekstili, këpucët, por kjo është.”, – theksoi tregtari, Verdi Zhaku.
Rritja e çmimeve ka ndikuar shumë tek shportat ushqimore të pothuajse gjithë qytetarëve, por më të prekurit nga kjo krizë janë familjet sociale, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë edhe ushqimet bazike.
Megjithatë falë zemërgjerësisë së struganëve vendas dhe mërgimtarëve, shumë familjeve iu mundësua të kalojnë një muaj më të lehtë të Ramazanit.
Gjatë gjithë muajit janë shpërndarë paketa ushqimore dhe veshmbathje, ndërsa sot u gëzuan rreth 60 fëmijë me tesha të reja nga pakot e shpërndara nga shoqata joqeveritare “Bamirësit struganë”.(TVM2)