Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka përdorur një retorikë të ashpër politike kundrejt kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, sa i përket ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
I ndalur te mesazhi i Berishës, i cili ia faturoi ngjarjen kriminale socialistëve, kur tha se rendi ndodhet në duart e krimit pasi “skuadra e pushkatimit nën mbrojtjen e qeverisë kreu ekzekutimin e radhës”- Ndreu, i surprizuar, thotë se të kërkosh kredo politike në kurriz të një ngjarje tragjike është fundi.
“Qe politika e Sali Berishes eshte me gjak, kjo dihet tashme, por qe te shkoje deri ne kete pike sme kishte shku mendja!
Te sugjeruar nga politika lokale opozitare qe do te perfitoje politikisht ne kurrizin e nje ngjarje tragjike, morali ka preke fundin!
Ndjej neveri per keto funderrina qe prodhojne keto lajme palacosh, me argument te paverteta dhe me deduksione kriminale vetem per nje grusht vota! Kaq per keto faqezinj!”- shprehet Ndreu.
Ekzekutimi i Ardjan Nikulajt ka tronditur qytezën e vogël të Shëngjinit, që pret hapjen e sezonit turistik, ndërsa është përfshirë nga ethet e fushatës për 14 Majin. Viktima u vra mesditën e sotme teksa ishte ulur duke konsumuar kafe i vetëm, në një nga bizneset e tij bar-restaurant.
Nga pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet se autori i dyshuar ishte një person me skafander dhe jelek fosforishent, i cili qëlloi 7 herë me pistoletë në drejtim të tij. Ardian Nikulaj ishte një emër i njohur në Lezhë për shkak te pozicioneve që ka mbajtur ndër vite si drejtor Aluizni, kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 nën siglën e PSD, dhe së fundmi për këshill bashkiak nën po të njëjtën sigël.
Top Channel