Njoftimi i Kremlinit sqaronte se kreu i tij u ka uruar ushtarëve Pashkët që të krishterët ortodoksë i festuan të dielën në 16 prill dhe dhuroi një ikonë ortodokse për zyrat e grupit ushtarak në Dniepr. Putini po ashtu mori pjesë në një takim të komandës ushtarake në rajonin Kherson për të dëgjuar raporte nga kreret ushtarake dhe për të diskutuar me oficerët e tjerë të lartë për situatën në terren. Se çfarë u fol saktësisht, kjo nuk në njoftimin e Moskës, nuk u theksua.
Kjo përbën të parën herë që Putini zbarkon në këto zona të aneksuara nga Moska në muajin shtator së bashku me dy rajone të tjera të Ukrainës së sulmuar nga Rusia shkurtin e vitit të kaluar. Udhëtime të tilla të liderit rus janë të rralla, megjithëse ai bëri një vizitë të papritur në qytetin e Mariupolit në muajin mars.
Nuk dihet saktësisht se kur u zhvillua udhëtimi në Kherson, por mediat ruse raportuan se Putin u interesua gjithashtu për situatën në Zaporizhzhia. Ai citohet të jetë shprehur në mbledhjen me krerët ushtarake në Kherson se megjithëse nuk donte t’i largonte ata nga detyrat e tyre, “është e rëndësishme për mua të dëgjoj mendimin tuaj se si po zhvillohet situata, dhe të shkëmbejmë informacione”.
Trupat ruse u tërhoqën nga qyteti i Khersonit në fund të vitit të kaluar, duke humbur të vetmin kryeqytet rajonal që kishte arritur të kapte që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt 2022. Megjithatë, një pjesë e rajonit mbetet nën kontrollin rus.