Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet t’i miratojë qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Në mbledhjen e radhës që pritet të nis në orën 13:30, është planifikuar që anëtarët e KQZ-së të shqyrtojnë dhe miratojnë edhe disa çështje të tjera në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve.
Sot gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e 23 prillit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.