Një prej divorceve shqiptare më të zhurmshme ka qenë ai i Fatos Nanos, ish-kryetarit të PS-së në Tetor të vitit 2021.
Ish-kryeministri Nano u martua në moshën 24-vjeçare me Rexhinën, vajzën që e njohu në vitet e para të gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet.
Pas 27 vitesh martesë dhe 2 fëmijëve ata u divorcuan duke shkaktuar jo pak zhurmë. Në një intervistë për “Opinion” në vitin 2001, Fatos Nano deklaroi publikisht direkt në televizion ndarjen nga Rexhina dhe lidhjen me bashkëshorten aktuale, Xhoana, 21 vite më e re në moshë.
“Unë kam iniciuar procedurat e divorcit. Kam formalizuar qëndrimin tim për fat të keq të pakthyeshëm me gjykatën. Janë arsye të gërshetimit të jetës sime familjare me vuajtjen, gëzimin, konsumimin dhe efektin e politikës dhe karrierës së politikës të kryetarit të opozitës dje dhe mazhorancës sot. Janë mjaft arsye njerëzore që ndodhën, më vjen keq që më ndodhën mua dhe që më çojnë mua tek shfaqja në publik i këtij morali. Unë një raporti të konsumuar i them legalisht dhe publikisht, ndal”, shprehej Nano.
Në Gjykatë Nano mori përsipër peshën e fajit për ndarjen dhe vetëm 1 vit më vonë kurorëzoi dashurinë me Xhoanën në një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës. Ndarja dhe martesa e dytë e ish-kryeministrit Nano ishin ngjarje që tërhoqën vëmendje dhe lanë shenjë në opinionin publik pasi sfiduan mentalitetin e kohës.
Pas tërheqjes nga politika Nano bëri një jetë mes Vjenës dhe Tiranës. Daljet e tij në media janë tepër të rralla.
“Tani që e shoh pas 21 vitesh deklarata e tij është shumë civile, e drejtpërdrejtë”, komentoi Blendi Fevziu teksa mbrëmjen e sotme flitej për divorcet në studion e emisionit “Opinion”.