Bashkësia ndërkombëtare me mesazh të qartë për Maqedoninë – respektoni marrëveshjet ndërkombëtare. Pjesa tjetër nuk varet nga ju. Ministria e Jashtme (MPJ) ende nuk i sqaron dilemat për kufijtë që mund të kalohen me pasaportë të vjetër. Në ndërkohë, Delegacioni i BE-së në Shkup po dërgon urdhra. Vendet e zonës Shengen vendosin vetë se si do të zbatohet rregullorja, thonë nga atje për Agjencinë për Informim të Mediave, informon PRESSonline.al
“Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, duke i përfshirë edhe përpjekjet për ndryshimin e dokumenteve të udhëtimit, të përfshira në Marrëveshjen e Prespës. Rikujtojmë se njohja e dokumenteve të udhëtimit të dhëna nga shtete të treta është në kompetencë të çdo shteti – anëtari veçmas”, thuhet në reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, përcjell PRESSonline.al
Shumica qeverisëse në Kuvend në seancën e sotme nuk i ka mbështetur ndryshimet e propozuara ligjore për vazhdimin e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit. Nga gjithsej 100 deputetë, 46 deputetë votuan “pro”, ndërsa 54 ishin “kundër”.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë propozuar vazhdimin e vlefshmërisë së pasaportave deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, PDSH-ja propozoi ndryshimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit, që dokumentet e udhëtimit me vulën e Republika e Maqedonisë, të jenë të vlefshme deri në skadimin e afatit të vlefshmërisë së dokumentit. Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski tha dje se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen me ligj.
Deputeti i opozitës, Dragan Kovaçki, sot është përgjigjur se qeveria, duke hedhur poshtë mundësinë e ndryshimeve ligjore, me vetëdije shkel të drejtat kushtetuese për lëvizjen e lirë.
Më herët, zyrtarë të qeverisë informuan se një dërgesë e re formularësh pritet në qershor. Më pas do të mbërrijnë 300 mijë formularë pasaportash dhe deri në shtator do të lëshohen rreth 1 milion e 900 mijë pasaporta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, theksoi se qëllimi i MPB-së është që të arrijë një numër maksimal prej 3300 pasaportash të prodhuara në ditë – duke filluar nga ora 6 e mëngjesit dhe deri në ora 22:00 në mbrëmje.
Në këtë drejtim, nga ministria për televizionin Tellma njoftojnë se deri më 26 shkurt, numri i përgjithshëm i dokumenteve të udhëtimit të lëshuara është 1.374.270.(PRESSonline.al)


