Gjiganti i teknologjisë, Apple, tani dominon tregun global të telefonave, duke e rrëzuar Samsungun nga vendi i parë për herë të parë në 12 vjet.
Gjiganti amerikan i telefonave përbënte më shumë se një të pestën e telefonave të shitur vitin e kaluar, sipas të dhënave nga International Data Corporation (IDC).
Samsungu pati 19.4 për qind të tregut, ndërsa pas tyre renditen prodhuesit kinezë të telefonave, Xiaomi, OPPO dhe Transsion.
Shitjet e telefonave kanë rënë që pas pandemisë, ka shkruar BBC.
IDC raporton se pothuajse 1.2 miliardë telefona inteligjentë u shitën vitin e kaluar – rënie prej më shumë se 3 për qind në krahasim me vitin paraprak. Është shitja më e ulët në një dekadë, me shumë konsumatorë që përballen me sfida ekonomike dhe norma të larta të interesit. Ekspertët parashikojnë se tregu do të rimëkëmbet këtë vit.
Sipas IDC-së, megjithatë, fituesi i vitit të kaluar është Apple që ka shitur mbi 234 milionë telefona.
Për Samsungun ky është lajm zhgënjyes, i cili – deri më tani – kishte vendin e parë si prodhuesi më i madh në botë i çipave, telefonave dhe televizorëve.
Kohët e fundit, gjigandi i elektronikës koreano-jugore paralajmëroi se fitimet do të bien më shumë sesa pritej pasi kërkesa globale mbetet e dobët.
Samsungu po përballet gjithashtu me konkurrencë nga modelet më të lira Android, duke përfshirë Transsion dhe Xiaomi.


