Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, zbatimi i reformave të nevojshme dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë në fokus të Samitit të sotëm të liderëve të Procesit Bërdo – Brioni, që po mbahet në Ohër.
Nikoqire e samitit është presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, ndërsa bashkëorganizatorë janë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Në Samit do të marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ushtruesi i detyrës president i Serbisë, Aleksandar Çupiq, presidenti i Mali të Zi, Jakov Millatoviq, kryesuesja dhe anëtaret e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Dariana Filipoviq.
Përveç integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, liderët do të bisedojnë edhe për sfidat aktuale evropiane dhe rajonale, lidhjen, çështjet për mjedisin jetësor dhe krijimin e mundësive më të mira për punësim të të rinjve.
Fillimi i takimit është paralajmëruar për në orën 11, ndërsa për orën 14:30 është paraparë konferencë e përbashkët për media e Siljanovska – Davkova, Pirc Musar dhe Millanoviq.
Procesi Bërdo Brioni është nismë rajonale e themeluar në vitin 2013 me qëllim që të nxitet integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe të kontribuohet për qëndrueshmërinë e rajonit përmes fuqizimit të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.
Samiti i fundit u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Shqipëri, kur liderët miratuan deklaratën e përbashkët në të cilën theksuan se marrëdhëniet e mira fqinjësore, qëndrueshmëria rajonale dhe pajtimi janë themel i së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë ishte theksuar edhe rëndësia nga përballja e përbashkët me sfidat bashkëkohore të sigurisë, kërcënimet kibernetike dhe pasojat nga ndryshimet klimatike.
Samiti i këtij viti fillimisht duhej të mbahej në maj në Brioni, por u anulua nga presidenti kroat Zoran Millanoviq, për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Zagrebit. Arsye për anulimin ishin deklaratat e presidentit të atëhershëm serb Aleksandar Vuçiq për kapacitetet raketore të Serbisë dhe paralajmërimet e tij për sulme të mundshme nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.
Përndryshe, tubimi në Ohër mbahet nën masa dhe regjim të posaçëm të komunikacionit në qytet dhe rrethinë, me sigurim fizik dhe trafiku në rrugë, objekte dhe lokacionet e parapara me protokollin për vizitën.
Po zbatohen masa për sigurimin, kontrollin dhe rregullimin e trafikut në rrugët përgjatë të cilave do të lëvizin automjetet nën shoqërim. Vëmendje e veçantë i kushtohet bulevardit “Turistike” në Ohër, një pjese të autostradës Ohër-Kërçovë, zonës qendrore të qytetit në Strugë, rrugës rajonale Strugë-Dibër, si dhe rrugëve dhe qasjeve të tjera ku nuk lejohet ndalimi dhe parkimi i automjeteve.
Nga policia u bëjnë thirrje shoferëve që t’i respektojnë udhëzimet e nëpunësve policorë në terren dhe veturat e tyre t’i shfrytëzojnë vetëm për raste të nevojshme në periudhën e zbatimit të masave, me qëllim, zhvillimin e pandërprerë të komunikacionit dhe sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve.



