Real Madridi ka vazhduar politikën e rinovimit të kontratave me futbollistët kryesorë të skuadrës, duke zyrtarizuar edhe vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Thibaut Courtois.
Klubi madrilen ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me portierin belg për zgjatjen e kontratës edhe për një sezon, deri më 30 qershor 2028.
Courtois iu bashkua Real Madridit në vitin 2018 dhe që nga atëherë ka zhvilluar 348 paraqitje me fanellën e bardhë, duke fituar gjithsej 14 trofe.
Në mesin e sukseseve të tij janë dy tituj të Ligës së Kampionëve, tri kampionate të Spanjës, një Kupë e Mbretit, tri Superkupa të Spanjës, tri Kupa të Botës për Klube dhe dy Superkupa të Evropës.
Portieri belg ka fituar edhe disa çmime individuale, përfshirë çmimin “The Best” të FIFA-s në vitin 2018, Trofeun Yashin në vitin 2022 dhe çmimin “Zamora” në vitin 2014. Ai ishte gjithashtu protagonist në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve më 2022, ku u shpall lojtari më i mirë i finales.


