Akuza të reja për lidhje biznesi, kredi milionëshe dhe transaksione bankare që, sipas VMRO-DPMNE-së, çojnë deri te rrethi familjar i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Partia në pushtet pretendon se pas hyrjes së “Alta Banka” në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut qëndrojnë interesa biznesi të ish-partnerëve qeverisës, LSDM-së dhe BDI-së, duke kërkuar hetim të plotë të transaksioneve dhe rolit të ish-funksionarëve në këtë proces.
Në një kumtesë për opinionin, VMRO-DPMNE pretendon se një kompani e lidhur me familjen e një krushku të Ali Ahmetit ka marrë kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Serbi, ndërsa një kompani tjetër e të njëjtit rreth biznesi ka shitur aksione të një banke në Maqedoninë e Veriut te biznesmeni serb Davor Macura. Sipas partisë, këto transaksione ngrenë dyshime për lidhje të mundshme mes kreditimit, shitjes së aksioneve dhe marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoninë e Veriut. “Rasti ‘Alta Banka’ është dëshmi e mënyrës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, të udhëhequra nga Ahmeti dhe klani Zaev. Për ta, shteti dhe qytetarët nuk kanë qenë të rëndësishëm, ndërsa interesi i vetëm kanë qenë skemat e biznesit, marrëveshjet jotransparente dhe pasurimi i individëve brenda natës”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Në qendër të akuzave të VMRO-DPMNE-së është kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin partia e identifikon si krushk të Ali Ahmetit. Sipas kronologjisë së paraqitur në kumtesë, në tetor të vitit 2024 kjo kompani ka blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në Bankën Komerciale të Manastirit.
VMRO-DPMNE pretendon se në qershor të vitit 2025, një kompani e lidhur me të njëjtin rreth biznesi ka marrë kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Beograd. Tre muaj më vonë, më 17 shtator 2025, sipas partisë, “AS Senjak” ia ka shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit biznesmenit serb Davor Macura dhe “Alta Banka”-s, duke mundësuar marrjen e kontrollit mbi bankën, e cila më pas u riemërtua “Alta Banka Maqedoni”. VMRO-DPMNE pretendon se Macura aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, ndërsa kërkon të sqarohet nëse kredia milionëshe dhe transaksioni i aksioneve kanë qenë të ndërlidhura. “A ishte kredia prej pesë milionë eurosh e lidhur me blerjen e aksioneve? A e ka financuar Macura në mënyrë të tërthortë hyrjen e tij në tregun maqedonas përmes kreditimit të një kompanie nga rrethi i biznesit të Ahmetit? Sa kanë kushtuar aksionet dhe çfarë përfitimi financiar ka realizuar shitësi?”, pyet VMRO-DPMNE.
Partia në pushtet i lidh akuzat edhe me veprimtarinë e ish-funksionarëve të BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi. Sipas VMRO-DPMNE-së, këta ish-funksionarë kanë mbështetur në mënyrë aktive hyrjen e “Alta Banka”-s në sektorin financiar të vendit. Partia pretendon gjithashtu se ish-ministri i Financave, Fatmir Besimi, e kishte hapur çështjen e “Alta Banka”-s në një seancë qeveritare më 24 tetor 2023. “Filipçe dhe LSDM duhet të ndalojnë së mjegulluari opinionin dhe të tregojnë nëse më 24 tetor 2023, kur Besimi e hapi temën e ‘Alta Banka’-s në një seancë të Qeverisë, kishin dijeni për marrëdhëniet e biznesit me kompaninë e krushkut të Ahmetit”, thuhet në kumtesë.
VMRO-DPMNE kërkon përgjigje nëse ish-partnerët qeverisës kishin informacione për origjinën e kapitalit të bankës dhe nëse ekzistonin dyshime lidhur me transaksionet financiare.


