Pas orës 14:00 mbylli punimet Asambleja e PS-së ku u miratua platforma “Këshilltari i Bashkisë sime”. Sekretari Organizativ, Blendi Klosi bëri të ditur se nga sot, janë zyrtarisht në fushatë për vendoret e 9 majit 2027.
Ndërkaq, Elisa Spiropali ende është anëtare e Partisë Socialiste. Konfirmimi u bë nga Blendi Klosi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve pasi më herët u mësua se në pjesën e punimeve me dyer të mbyllura të Asamblesë, kryeministri Rama propozoi të hidhej në votim përjashtimi nga partia i Spiropalit dhe i Plarent Ndrecës, por jo i Erion Veliajt. Në fund, duket se kjo nuk ndodhi. Po ashtu, u mësua se Fatmir Xhafaj kundërshtoi duke thënë se duhet të merren masa, por jo të përjashtohen.
Blendi Klosi për vendimet e mbledhjes së Asamblesë:
Mbledhja e sotme shumë e fokusuar në garën e ardhshme elektorale. Nga sot, PS-ja është zyrtarisht në fushatë. Kemi ndërtuar platformën e cila do të duhet të shtrihet në çdo cep të territorit të Shqipërisë, në çdo zonë urbane apo rurale, për t’iu afruar përgatitjes së fushatës elektorale.
Sot miratuam një platformë, e cila do të kërkojë një mënyrë krejtësisht të re, zgjedhjen e atyre që duan të kontribuojnë në këshillat bashkiakë. Jo vetëm lista të përgatitura nga forumet e partisë, por një forum i hapur publik ku gjithsecili që kërkon të jetë pjesë e kontributit për këshillat bashkiakë do të duhet të jetë pjesë e platformës “Këshilltari i bashkisë sime” dhe po ashtu, forumet e partisë të fillojnë në mënyrë të strukturuar, në çdo qendër urbane apo zonë rurale, një diskutim për punët për Shqipërinë.
Sa i përket drejtimit të Tiranës, nga pikëpamja organizative u propozuan dy bashkëkryetarë, si në të gjithë territorin e në të gjitha bashkitë e vendit. Por, organizimi partiak do të mbetet i pandryshuar edhe pse tani bashkitë kanë një karakter tjetër nga pikëpamja territoriale dhe e kufijve. Drejtimi i partisë së Bashkisë së Tiranës do të jetë nga dy bashkëkryetarë, nga deputetja Albana Koçiu dhe Ervin Demo, si pjesë e drejtimit të bashkisë, kurse drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu.


