Gjatë bashkëbisedimit në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri Edi Rama foli për emigracionin, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa për integrimin në BE theksoi se synimi është mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027, nëse gjithçka shkon mirë. Ndërkohë duke folur për emigracionin, Rama tha se nuk e sheh si një prirje në rritje, por si pjesë të një rrugëtimi që lidhet me zhvillimin e vendit dhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.
“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, tha kryeministri.
Ndërsa duke folur për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kreu i qeverisë tha se nuk mund të japë premtime për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se procesi do të varet edhe nga zhvillimet brenda vetë Bashkimit Europian, duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.
“Kjo do të varet se ku do të jetë Bashkimi Europian për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha Rama.
Ndërsa duke folur për demokracinë, kryeministri theksoi se përmirësimi i saj është një proces i vazhdueshëm.
“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, u shpreh Rama.


