Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të martë në autostradën A1 në lindje të Bullgarisë, ku 11 persona kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur.
Sipas Reuters, dhjetëra automjete janë përplasur në të dyja anët e autostradës që lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit, në një zonë të mbuluar nga mjegulla.
Pamjet e publikuara nga mediat vendase tregojnë makina dhe kamionë të përplasur në gjashtë korsitë e autostradës. Shumë prej automjeteve janë shkatërruar, janë përmbysur ose kanë dalë nga rruga. Ministria e Brendshme bullgare njoftoi se 50 persona të plagosur janë transportuar në spital, ndërsa policia, zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancave kanë mbërritur në vendngjarje për operacionet e shpëtimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Lyubomir Nikolov, deklaroi se shkaku i mundshëm i aksidentit është mjegulla. Sipas tij, gjithçka nisi me përplasjen e një autobusi me një kamion në pjesën e autostradës në drejtim të Burgasit.
Kryeinspektori Todor Mishinev, nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Brendshme në Jambol, tha për Nova TV se disa persona ndodheshin ende të bllokuar brenda automjeteve.
“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të kryhen veprimet procedurale dhe hetimore”, deklaroi ai.
Kryeministri bullgar Rumen Radev e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi”, gjatë një deklarate në kuadër të vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Bullgari. Radev bëri të ditur se kishte vënë në dispozicion avionë për evakuimin e të plagosurve dhe se planifikonte të vizitonte vendin e aksidentit.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian njoftoi se do ta shkurtonte vizitën e saj në Bullgari.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe të falënderoj ekipet e shpëtimit”, deklaroi von der Leyen.


