Detaje të reja nga hetimet për 50-vjeçarin Robert alias Albert Duka, i dyshuar për grabitjen e dy bankave të nivelit të dytë në Tiranë. I arrestuar dje, dyshohet se një pjesë të konsiderueshme të parave të grabitura, mbi 100 mijë euro, i ka shpenzuar në kazino të kryeqytetit.
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor iu kërkoi informacione subjekteve, me qëllim verifikimin nëse Duka ka qenë klient i tyre dhe për të zbardhur lëvizjet financiare.
Një tjetër pjesë e parave, rreth 6 mijë euro, dyshohet se iu dha dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit.
Të marrë në pyetje nga hetuesit, deklaruan se shumat përbënin borxhe që iu kishte autori. Por, grupi hetimor po verifikon edhe këtë pretendim.
Pjesa më e madhe e parave të gjetura gjatë hetimeve u sekuestrua në banesën në Vlorë të Dukës, ndërsa në Tiranë, ai jetonte në një apartament me qira.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja, e cila punon në një bankë të nivelit të dytë. Për paratë e gjetura në banesë, ajo deklaroi se bëhej fjalë për kursime familjare, nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.
Robert alias Albert Duka rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe më parë në çështje të rënda penale jashtë vendit.

Në vitin 2010, u arrestua në Greqi me tre shqiptarë, nën dyshimin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që dyshohej se ka kryer 26 grabitje të armatosura në supermarkete në rajonin e Atikës.
Sipas hetimeve të kohës, gjatë periudhës 2007–2010, grupi kishte përfituar mbi 1.2 milionë euro nga aktiviteti kriminal.
Në vitin 2016, Duka arriti të arratisej nga burgu i Tirinthës, me të dënuar të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri më 2018-ën, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, pranë pikës kufitare të Kapshticës.
Një vit më vonë, më 2019-ën, u lirua nga burgu me kusht.
Tani, policia pritet të nisë një hetim pasuror ndaj 50-vjeçarit, me qëllim verifikimin e burimeve të të ardhurave dhe pasurive të tij.


