Klubi turk, Galatasaray, ka reaguar me një mesazh prekës pas vdekjes së legjendës së futbollit shqiptar, Xhevat Prekazi, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e skuadrës nga Stambolli.
Përmes një komunikate zyrtare, Galatasaray e ka shprehur dhimbjen për humbjen e ish-futbollistit, duke e vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në fushën e lojës, por edhe karakterin dhe personalitetin që e bënë të veçantë.
Prekazi kujtohet veçanërisht për golat e paharrueshëm dhe emocionet që u dhuroi tifozëve, duke e shkruar emrin e tij me shkronja të arta në historinë e klubit turk, përcjell “Gazeta Express”.
“Prekazi, i cili e krijoi një gjeneratë tifozësh të Galatasarayt me golat e tij të paharrueshëm dhe gëzimin e papërshkrueshëm, do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. Nuk do të të harrojmë kurrë”, thuhet në reagimin e klubit.
Në fund, Galatasaray ia ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që e deshën Prekazin, duke u lutur për shpirtin e tij.


