Përparimi i Drejtorisë së Doganave në disa fusha të rëndësishme të veprimtarisë së saj është evidentuar në Raportin e Komisionit Evropian, veçanërisht në Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, për të cilin përgjegjëse është kjo drejtori.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, i cili ka veçuar disa nga rezultatet dhe aktivitetet e institucionit të evidentuara në raport.
Sipas Dautit, të ardhurat e përgjithshme të arkëtuara nga Drejtoria e Doganave gjatë vitit 2025 kanë qenë 5,2 për qind më të larta krahasuar me vitin 2024, duke tejkaluar shumën prej 2,1 miliardë eurosh.
Në raport theksohen edhe avancimi i sistemit të inteligjencës për mbështetjen e hetimeve dhe zbatimin e ligjit, sistemi i ri për menaxhimin e rrezikut, si dhe pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare dhe shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës.
Dauti ka veçuar gjithashtu forcimin e kapaciteteve të Sektorit për Kontroll dhe Hetime, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Këto kapacitete janë përmirësuar përmes sigurimit të automjeteve të reja, pajisjeve mbrojtëse dhe pajisjeve të teknologjisë informative për sallën e serverëve.
Një tjetër aspekt i evidentuar është zbatimi i Strategjisë për Integritet dhe Luftë kundër Korrupsionit për periudhën 2024–2027, si dhe avancimi i procesit të digjitalizimit përmes zhvillimit të sistemeve të reja doganore.
Raporti përmend edhe shkallën e lartë të harmonizimit të legjislacionit doganor me atë të Bashkimit Evropian, miratimin e Tarifës Doganore për vitin 2026 në përputhje me Nomenklaturën e Kombinuar të BE-së, si dhe ratifikimin e Protokolleve 5 dhe 6, që krijojnë kornizë për lehtësimin e tregtisë përmes bashkëpunimit doganor dhe liberalizimit të tregtisë së shërbimeve.
Sipas zëvendësdrejtorit Dauti, këto janë disa nga rezultatet që dëshmojnë përparimin e Drejtorisë së Doganave në procesin e përafrimit me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.


