Avokati i njohur amerikan Michael Sanft, 55 vjeç, i cili mbrojti Duane “Keffe D” Davis në procesin gjyqësor për vrasjen e reperit legjendar Tupac Shakur, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Las Vegas.
Trupi i avokatit u zbulua të premten, më 6 nëntor, vetëm pak ditë pasi kishte paraqitur një kërkesë apelimi kundër vendimit që shpalli fajtor klientin e tij.
Zyra e mjekut ligjor në Clark County konfirmoi vdekjen, ndërsa shkaku nuk është përcaktuar ende. Sipas raportimeve, policia nuk ka konstatuar elemente që të tregojnë për një vdekje të dyshimtë.
Sanft konsiderohej një nga avokatët më të njohur të mbrojtjes penale në Las Vegas. Ai kishte marrë përsipër pa pagesë mbrojtjen e Davis, 63 vjeç, i dënuar në tetor me 40 vite deri në burgim të përjetshëm për përfshirjen në v*rasjen e Tupac Shakur.
Më 30 tetor, avokati kishte depozituar njoftimin e apelimit, duke synuar kundërshtimin e vendimit gjyqësor. Çështja lidhet me ngjarjen e 7 shtatorit 1996, kur Tupac u qëllua me a*rmë zjarri nga një automjet në lëvizje në Las Vegas. Reperi, atëherë 25 vjeç, ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë në spital.
Sipas prokurorisë, Davis organizoi s*lmin në shenjë hakmarrjeje pasi nipi i tij, Orlando Anderson, ishte përfshirë në një përplasje fizike me Tupac dhe shoqëruesit e tij.
Pas më shumë se dy dekadash hetimesh, Davis u arrestua në vitin 2023 dhe u shpall fajtor në gusht 2026, megjithëse vazhdoi të deklaronte pafajësinë.
Vdekja e avokatit ngre tashmë pikëpyetje mbi vazhdimësinë e procesit të apelimit, ndërsa ende nuk është bërë publik emri i një përfaqësuesi të ri ligjor.


