Komisioni Evropian konstaton se rastet e nivelit të lartë zvarriten dhe parashkruhen, ndryshimet në Kodin Penal të 2023 dhe janarit 2026 nuk eliminuan pasojat, ndërsa vetëm 23% e masave të Strategjisë Antikorrupsion u realizuan në 2025.
Komisioni Evropian ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut në Raportin e Progresit për vitin 2026, i publikuar dje në Bruksel. Vendi vlerësohet se nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit të fundit, duke mbetur në nivelin mes “përgatitjeje të pjesshme” dhe “të moderuar”.
Sipas raportit, të cituar nga mediat në Shkup, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe përbën çështje serioze shqetësimi. Brukseli paralajmëron se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të përballen me vonesa të qëllimshme dhe shpesh arrijnë parashkrimin, duke krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë, informon PressOnline.al.
Kritika për ndërhyrje politike dhe Kodin Penal
Kritika të veçanta adresohen ndaj ndërhyrjeve politike në gjyqësor. Raporti evidenton se pavarësia dhe autonomia financiare e sistemit gjyqësor cenohen nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera, përfshirë presionin e Parlamentit ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor për të dhënë dorëheqjen.
Gjithashtu, ndryshimet në Kodin Penal të janarit 2026, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminal, nuk i kanë adresuar në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të diskutueshme të vitit 2023 dhe kanë shtuar pasigurinë juridike.
Një element tronditës i përmendur në raport është edhe tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan, ku zjarri në klubin Pulse shkaktoi vdekjen e 62 personave dhe plagosjen e mbi 190 të tjerëve. Sipas Komisionit, kjo tragjedi zbuloi sfida sistematike të vazhdueshme mbi zbatimin e masave kundër korrupsionit.
Bilanci i zymtë
Të dhënat nga terreni konfirmojnë raportin e Brukselit. Sipas Barometrit të fundit të Korrupsionit të publikuar nga Transparency International – Maqedonia, zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit mbetet në nivel alarmant të ulët, me vetëm 23% të aktiviteteve të planifikuara për vitin 2025 të realizuara plotësisht.
Për më tepër, sistemi i drejtësisë përballet me mungesë dramatike të kuadrit, me 221 vende vakante për gjyqtarë dhe 67 për prokurorë, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë. Raporti thekson edhe krizën e kredibilitetit në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pas aktakuzës ndaj ish-kryetares që çoi në dorëheqjen e saj, shkruan PressOnline.al.
Kërkesat e Brukselit
Në rekomandimet për vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian kërkon nga Shkupi miratimin e një Kodi të ri Penal në përputhje me standardet e BE-së, përmirësimin e bilancit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë me hetime proaktive dhe konfiskim të pasurive kriminale, si dhe garantimin e pavarësisë reale të gjyqësorit përmes burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për Prokurorinë dhe institucionet antikorrupsion.
Mesazhi i Brukselit është i qartë dhe alarmues: pa drejtësi të pavarur, pa rezultate konkrete kundër zyrtarëve të lartë dhe pa eliminimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet e bllokuar dhe besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore vazhdon të dobësohet.(PressOnline.al)


