Kodi aktual Penal do të pësojë ndryshime me procedurë të shkurtuar, por pa korrigjimin e nenit 353 dhe pa kthimin e dënimeve të larta për funksionarët, informon PressOnline.al
Propozuesit e ndryshimeve janë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, Ljupço Prenxhov dhe Bojan Stojanovski, nga koalicioni VLEN, Beqim Gjoku dhe deputetja e ZNAM-it, Vesna Bendevska. Ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me veprat e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Lidhur me zërat për prapavijë politike, deputeti Milloshoski ka hedhur poshtë çdo spekulim.
“Nuk ka asnjë prapavijë në ndryshimet e propozuara, i kam prezantuar në koordinim me grupet parlamentare në Kuvend dhe nevoja për to është imponuar pas vërejtjeve të MONEYVAL-it”, deklaroi Milloshoski për “Sloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al
Ai sqaron se bëhet fjalë për trupin ekspert të Këshillit të Evropës që vlerëson pajtueshmërinë e shteteve me standardet ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas raportit të MONEYVAL-it nga viti 2023, legjislacioni i Maqedonisë së Veriut vetëm pjesërisht i përmbush rekomandimet e FATF-it, Task Forcës për Veprim Financiar që vendos standardet globale.
Në arsyetimin e propozim-ligjit që kanë dorëzuar deputetët, thuhet:
“Qëllimi i miratimit të këtij ligji është eliminimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe veprimi në përputhje me Raportin nga evaluimi i sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të miratuar nga Komiteti i MONEYVAL-it në vitin 2023, për harmonizim me Rekomandimet e FATF-it”, thuhet në dokument, përcjell PressOnline.al
“Zbatimi i këtij ligji nuk sjell implikime financiare dhe për miratimin e tij nuk nevojiten mjete shtesë nga Buxheti. Pritet madje rritje e hyrjeve në Buxhet, me zbatimin e institutit të konfiskimit”, theksohet në arsyetim.
Propozuesit vlerësojnë se harmonizimi me FATF-in ka ndikim pozitiv në procesin e eurointegrimeve dhe për pjesëmarrjen e sistemit financiar të vendit në SEPA, Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.
Sipas rekomandimeve, këto ndryshime duhet të miratohen në mesin e nëntorit, pasi Kodi i ri i plotë Penal pritet të miratohet tek në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Milloshoski thotë se për propozimin janë njoftuar Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Policia Financiare.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se fokusi i tyre mbetet Kodi i ri.
“Kodi Penal është në fazën finale të përgatitjes dhe po finalizohet harmonizimi i tij me standardet dhe direktivat më të reja evropiane, pas së cilës do t’i dorëzohet për mendim Komisionit Evropian”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë.(PressOnline.al)


