Një numër gjithnjë e më i madh shtetesh po bëhen bashkë kundër një vendimi gjyqësor që i lejon Rusisë rikthimin në ngjarjet ndërkombëtare të hokejit mbi akull. Ato kanë paralajmëruar se nuk do të luajnë me ekipe që dërgon Moska, duke vënë në rrezik Kampionatin Botëror të hokejit mbi akull, që pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Fuqi e madhe në sportin e hokejit, Rusia është përjashtuar nga garat ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Hokejit mbi Akull (IIHF) që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.
Por, më 30 tetor, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi që federata duhet t’i rikthejë ekipet ruse, duke nisur nga Kampionati Botëror i Hokejit për të Rinj, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Kanada.
IIHF-ja tha nuk pajtohet me vendimin, por do ta zbatojë.
Vendimi nxiti kritika të ashpra nga Ukraina dhe shumë nga vendet që renditen mirë në sportin e hokejit e që mbështesin Kievin.
Ukraina tha se vendimi i gjykatës po “njollos akullin me gjakun ukrainas” dhe u bëri thirrje partnerëve të saj të mbajnë një qëndrim të fortë kundër rikthimi të Rusisë në garat ndërkombëtare.


