Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka pritur në një takim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut zëvendësambasadorin e Francës, z. Philippe Marcheto.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, proceset demokratike dhe integruese, si dhe sfidat që kërkojnë angazhim të përbashkët institucional dhe politik.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Kodit Zgjedhor, Agjendës Reformuese, reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, si elemente thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Deputeti Azizi theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe partnerëve evropianë në tejkalimin e sfidave aktuale, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e prioriteteve që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE.
Bashkëpunimi me Francën dhe partnerët e tjerë evropianë mbetet i rëndësishëm për avancimin e proceseve reformuese, forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e institucioneve që garantojnë demokraci, drejtësi dhe perspektivë evropiane për qytetarët.


