Eksponenti i lartë i VLEN-it, Zeqirja Ibrahimi, ka reaguar pas zgjedhjeve të mbajtura në Bërvenicë, ku kandidati shqiptar fitoi garën për kryetar komune.
Në një postim, Ibrahimi ka vlerësuar mbështetjen që, sipas tij, VLEN i dha kandidatit të një partie shqiptare në opozitë, pavarësisht se vetë është pjesë e pushtetit dhe ka partnerë qeveritarë.
Ai ka theksuar se një veprim i tillë, për motive patriotike, nuk ka ndodhur gjatë 22 viteve të qeverisjes së BDI-së.
“Kjo jo vetëm që bie poshtë akuza për nënshtrim e servilizëm ndaj VLEN-it, por del në pah një standard patriotik që as vetë Komandanti i asaj qendrës në qendër të Shkupit nuk ka guxuar ta bëjë”, ka shkruar Ibrahimi.
Ai këtë veprim e ka cilësuar si “virtytin e lartë të VLEN-it”.
Në anën tjetër, Ibrahimi ka kritikuar BDI-në, duke thënë se, pavarësisht mbështetjes së VLEN-it për kandidatin shqiptar, asnjë eksponent i kësaj partie nuk doli publikisht për të shprehur mirënjohje.
“Kjo është vesi i poshtër i BDI-së”, ka shkruar Ibrahimi, duke e përmbyllur reagimin me shprehjen: “Çfarëdo që të bësh, ia bën vetvetes!”.


