Katër anije luftarake të NATO-s, dy gjermane, një italiane dhe një spanjolle, gjenden në Portin e Vlorës, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët ushtarak me Forcën Detare Shqiptare.
Deri më 6 nëntor, janë parashikuar aktivitete portuale dhe stërvitje të përbashkëta në Gjirin e Vlorës.
Sot dhe nesër, ekuipazhet zhvillojnë vizita portuale, ndërsa më 5 dhe 6 nëntor, manovra të përbashkëta detare dhe ajrore, ku do të angazhohen luftanijet e NATO-s së bashku me mjetet lundruese të Forcës Detare Shqiptare.
Stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave detare të vendeve aleate, përmes koordinimit të veprimeve nga deti dhe ajri, komunikimit mes ekuipazheve dhe zhvillimit të skenarëve të përbashkët operacionalë.
Këto aktivitete shërbejnë gjithashtu për rritjen e gatishmërisë dhe përgatitjen e personelit ushtarak për angazhime të koordinuara në kuadër të misioneve të Aleancës.
Kjo është hera e dytë brenda një muaji që luftanije të NATO-s mbërrijnë në Gjirin e Vlorës për të zhvilluar stërvitje të përbashkëta me flotën shqiptare, duke e kthyer këtë zonë detare në një hapësirë të rëndësishme për aktivitetet e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes forcave aleate.


