Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi për “Front Online” është deklaruar lidhur me rikthimin në Kuvend të Ligjit pë Specialen nga presidentja, duke thënë se qëndrimi i PDK-së është që ligji të rishqyrtohet për t’u fuqizuar juridikisht dhe jo të anulohet.
Musliu-Shoshi ka deklaruar se qëllimi i partisë së saj mbetet mbrojtja e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së dhe garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor.
“Së pari, dua ta bëj të qartë se PDK-ja nuk ka kërkuar anulimin e ligjit, por rishqyrtimin e tij për ta fuqizuar juridikisht. Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar: mbrojtja e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së dhe garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se pret që komisioni përgjegjës parlamentar t’i shqyrtojë rekomandimet profesionale që janë paraqitur në fazën përfundimtare të miratimit të ligjit.
“Presim që komisioni përgjegjës parlamentar t’i shqyrtojë rekomandimet profesionale që kanë ardhur në fazën përfundimtare të miratimit të ligjit dhe që nuk kemi pasur kohë t’i adresojmë atëherë”, është shprehur Musliu-Shoshi.
Sa u përket ndryshimeve të mundshme në ligj, deputetja e PDK-së ka bërë të ditur se janë duke u shqyrtuar disa zgjidhje juridike.
“Sa u përket ndryshimeve konkrete, aktualisht po shqyrtohen disa zgjidhje juridike dhe nuk do të ishte serioze t’i paragjykonim para se të dakordohen përfundimisht”, ka thënë ajo.
Musliu-Shoshi u është drejtuar edhe deputetëve që kundërshtojnë rikthimin e ligjit, duke rikujtuar se ai është miratuar nga Kuvendi dhe jo vetëm nga deputetët e PDK-së.
“Sa u përket deputetëve që kundërshtojnë rikthimin, dua t’ua rikujtoj se ky ligj është votuar nga Kuvendi, jo vetëm nga PDK-ja. Prandaj, përgjegjësia për ta përmbyllur këtë proces është e përbashkët”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka kërkuar vullnet politik dhe përgjegjësi institucionale, duke kundërshtuar pengesat partiake në këtë proces.
“Ne presim vullnet politik dhe përgjegjësi institucionale, jo pengesa partiake”, ka theksuar Musliu-Shoshi.
Deputetja e PDK-së ka nënvizuar se për partinë e saj nuk është e rëndësishme vetëm që ligji të votohet, por edhe që ai të jetë juridikisht i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm.
“Për ne nuk është me rëndësi vetëm që ligji të votohet, por që ai të jetë juridikisht i qëndrueshëm, i zbatueshëm dhe t’u shërbejë realisht çlirimtarëve tanë. UÇK-ja dhe mbrojtja e të drejtave të çlirimtarëve nuk duhet të bëhen peng i kalkulimeve politike”, tha ajo për “Front Online”.


