Në intervistën për emisionin “Vo Centar”, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka komentuar akuzat për kontakte të pretenduara me persona të lidhur me të ashtuquajturin klani Duqanxhik, informon PressOnline.al
Gjatë intervistës, gazetari e pyeti Taravarin për faktin se bashkëszia ndërkombëtare nuk ka qenë e prirur ndaj tij dhe ka qenë e rezervuar, pikërisht për shkak të kontakteve të supozuara me klanin e Duqanxhik.
Bëhet fjalë për persona tashmë të ndjerë, si Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Orhan Bajrami – Oki, të njohur për publikun pas ngjarjes tragjike në Shisha Bar dhe Halkidiki.
I pyetur nëse i njeh personat në fjalë, Taravari tha se: “Jeton Krivanjevën e njoh vetëm si pacient, i cili vuante nga një sëmundje neurologjike dhe ka ardhur tek unë 3-4 herë në spital, në periudhën 2011-2012. Asnjërin prej tyre nuk e njoh në ndonjë mënyrë tjetër.”
Në lidhje me pretendimet se është parë duke pirë kafe me ta në objekte hotelierike, Taravari sqaroi se:
“Mund të ketë ndodhur një herë të kemi pirë kafe. Zakonisht ai vinte në zyrë, e kontrolloja.”
Taravari mohoi kategorikisht se ka qenë mjek personal i tij dhe theksoi se nuk ka pasur asnjë kontakt prej vitesh.
“Nuk kam qenë mjeku i tij personal. Para se të ndodhte rasti në “Shisha Bar”, Jeton Krivanjevën nuk e kisha parë dhe nuk kisha komunikuar me të 4-5 vjet.” (PressOnline.al)


