Princesha e Spanjës, Leonor, ka tërhequr vëmendjen me një paraqitje moderne dhe elegante gjatë aktiviteteve të çmimeve Princesha e Asturias, në qytetin e Oviedos. Trashëgimtarja e fronit spanjoll zgjodhi një kostum monokrom në nuancë pjeshke, duke kombinuar elegancën klasike me një stil më bashkëkohor.

Pjesa që spikati më shumë ishte jeleku i veshur pa këmishë, nën një xhaketë të strukturuar, i kombinuar me pantallona me bel të lartë dhe prerje të gjerë, të cilat arrinin deri në dysheme.
Pamja e Leonor-it u dallua për linjat e pastra dhe harmoninë e ngjyrave, ndërsa zgjedhja e një kostumi në vend të një fustani tradicional i dha paraqitjes një karakter më modern.

Kostumi përbëhej nga tri pjesë: një xhaketë me jakë klasike dhe kopsa përpara, një jelek në të njëjtën nuancë dhe pantallona të gjera me bel të lartë.
Pantallonat e gjata mbulonin pothuajse tërësisht këpucët me majë të mprehtë dhe takë, duke krijuar një siluetë të zgjatur. Për të ruajtur ekuilibrin e veshjes, princesha zgjodhi këpucë në ngjyrë neutrale dhe aksesorë diskretë.

Ajo i mbajti flokët e gjatë të lëshuar, me onde të buta, ndërsa grimi natyral plotësoi stilin pa ia larguar vëmendjen veshjes.
Kostumi ishte nga marka spanjolle Mirto, e njohur për veshjet e saj elegante dhe të përshtatshme për raste zyrtare.

Edhe motra e saj më e vogël, Princesha Sofia, u paraqit me një kostum me pantallona të gjera, por në një nuancë më të errët, bordo.
Dy motrat u shfaqën me stile të ngjashme, por me zgjedhje të ndryshme ngjyrash, duke krijuar një kontrast elegant gjatë aktiviteteve zyrtare në Oviedo.

Mbretëresha Letizia zgjodhi një kombinim më të errët, të plotësuar me një bluzë blu të çelët, ndërsa Mbreti Felipe u paraqit me kostum klasik të errët.
Përveç paraqitjes së saj, aktiviteti shënoi një moment të rëndësishëm në angazhimet institucionale të princeshës. Leonor kryesoi për herë të parë e vetme takimin me fituesit e çmimeve Princesha e Asturias, pa praninë e prindërve të saj.

Gjatë ceremonisë, ajo përshëndeti të laureuarit dhe i dorëzoi një medalje futbollistit argjentinas Lionel Messi, i cili u vlerësua me çmimin për sport.
Çmimet Princesha e Asturias organizohen çdo vit për të nderuar kontributet e rëndësishme në fusha të ndryshme, përfshirë shkencën, kulturën, sportin dhe veprimtarinë humanitare.
Me këtë paraqitje, Leonor ndërthur edhe një herë detyrat e saj mbretërore me një stil personal që po bëhet gjithnjë e më i dallueshëm në daljet publike.


