Hidhen molotovë, dera e Bashkisë në flakë! Policia me gaz lotsjellës pa limit dhe ujë me presion drejt protestuesve në bulevard, pranë sheshit “Skënderbej”.
Policia përdor ujë me presion gjatë gjithë kohës ndaj protestuesve që afrohen në bulevard. Nuk mungojnë plumbat e gomës. Tirana është në kaos!
Skenari i protestuesve i gjeti të gatshëm efektivët që prej përplasjeve të para te Ministria e Arsimit që ndërhynë menjëherë me autobotët që i ndoqën duke hedhur ujë e gaz lotsjellës duke i zhvendosur brenda pak minutash drejt qendrës. Nga aty, u shpërndanë në drejtime të ndryshme dhe shkuan te kryeministria.
Nga ana e policisë, ka pasur edhe përdorim të spray-t me piper dhe fishekëve të gomës.
Pas tri ditëve relativisht të qeta, protesta e sotme ka rikthyer kaosin në Tiranë. Protestuesit iu kthyen sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë, të cilave policia u është përgjigjur menjëherë me ujë e gaz lotsjellës duke e zbrazur brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Bulevardi është i veshur nga një tymnajë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në rrugët e qytetit. Edhe efektivët po marshojnë, por situata po pasohet vetëm nga incidentet e zakonshme të koshave të djegur.
Ndërkohë, te kryeministria janë pozicionuar edhe forcat RENEA.


