Autoritetet shëndetësore franceze kanë zbuluar për herë të parë te një njeri virusin Shamonda, i cili zakonisht prek bagëtinë dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të vogla të gjinisë Culicoides.
Pacienti, i cili vuante nga një imunitet i rëndë i kompromentuar, ndërroi jetë në fillim të tetorit në një spital në Lion.
Sipas një deklarate të përbashkët të Ministrive franceze të Shëndetësisë dhe Bujqësisë, bëhet fjalë për një rast të jashtëzakonshëm, pasi pavarësisht qarkullimit të virusit në Afrikë dhe Azi prej disa dekadash, deri më tani nuk ishin raportuar infeksione te njerëzit.
Rasti u regjistrua në Francën lindore, në një zonë ku virusi qarkullon te kafshët gjatë pranverës dhe verës. Sipas autoriteteve, pacienti kishte shfaqur komplikime cerebrale përpara vdekjes, të cilat mund të kenë lidhje me infeksionin.
Megjithatë, autoritetet franceze theksojnë se, bazuar në njohuritë aktuale për virusin, nuk është identifikuar ndonjë rrezik për shëndetin e popullatës së përgjithshme.
Autoritetet kanë nisur hetime klinike, biologjike dhe epidemiologjike për të kuptuar më mirë rastin dhe lidhjen e mundshme mes virusit dhe komplikimeve të pacientit. Në këtë proces po ndiqet qasja “Një Shëndet”, e cila merr në konsideratë lidhjen mes shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve janë informuar për rastin.
Virusi Shamonda u identifikua për herë të parë në Nigeri në mesin e viteve 1960 dhe është raportuar në mënyrë sporadike te bagëtitë në Afrikën Perëndimore, Lindore dhe Jugore, si dhe në Japoni.
Gjatë kësaj vere, virusi u zbulua edhe në Evropë, përfshirë Francën, në tufat e bagëtive. Raste sporadike infeksioni janë konstatuar gjithashtu te ripërtypësit e vegjël dhe kuajt.
Bagëtia konsiderohet si strehuesi kryesor i virusit mes specieve shtazore që mund të infektohen.
Pavarësisht zbulimit të parë te njeriu, autoritetet franceze nënvizojnë se aktualisht nuk ka prova për një rrezik të përgjithshëm për popullatën, ndërsa hetimet për rastin e regjistruar vijojnë.


