Unioni Turistik Shqiptar ka reaguar lidhur me protestat në kryeqytet, duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes sociale dhe hapjen e dialogut mes qeverisë dhe studentëve.
Në një deklaratë, Unioni shprehet se dhuna dhe pasiguria rrezikojnë imazhin e Shqipërisë, besimin e turistëve dhe marrëdhëniet me operatorët e huaj, ndërsa kërkon që të shmanget përshkallëzimi i situatës.
Organizata dënon gjithashtu përdorimin e pajustifikuar ose joproporcional të forcës nga policia dhe u bën thirrje të gjitha palëve për përgjegjësi e vetëpërmbajtje.
Deklarata e plotë:
Unioni Turistik Shqiptar po ndjek me shqetësim protestat e studentëve dhe të rinjve që po zhvillohen në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë, të cilat kanë shkaktuar përplasje dhe tensione sociale, duke sjellë lëndime të protestuesve dhe të forcave të rendit.
E drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një nga vlerat themelore të një shoqërie demokratike. Por, në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të ruajnë karakterin paqësor të tyre, të distancohen nga çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve dhe të mos dëmtojnë bizneset private, shumica e të cilave janë në mbështetje të tyre.
Duke pasur parasysh se në këtë sektor kanë investuar shumë sipërmarrës të ndershëm dhe se shumë familje shqiptare kanë investuar kursimet e fëmijëve të tyre në emigracion, duhet që, së bashku, të mbrojmë këto investime, sepse ato nuk janë pronë e një qeverie apo e një force politike.
Shqetësimet e studentëve janë edhe shqetësimet tona, pasi ky sektor ka nevojë për të rinj të kualifikuar, të cilët t’i shërbejnë kësaj industrie dhe të mos detyrohen të emigrojnë jashtë vendit, por të qëndrojnë në Shqipëri dhe t’i shërbejnë kësaj industrie, e cila siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje.
Zhvillimet e ditëve të fundit, veçanërisht pamjet e dhunës dhe pasigurisë që përcillen në mediat ndërkombëtare, rrezikojnë të ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, në besimin e turistëve dhe në marrëdhëniet me operatorët e huaj, me të cilët kemi ndërtuar një partneritet të besueshëm. Këta operatorë, mbi të gjitha, e kanë vlerësuar Shqipërinë për mikpritjen dhe sigurinë.
Për këtë arsye, Unioni Turistik Shqiptar u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të shtetit që të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e negociuar për të ndaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Qëllimi është të rikthehet normaliteti dhe të shmangen pasoja edhe më të rënda për njerëzit dhe ekonominë.
Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo joproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve dhe, mbi të gjitha, për rrezikimin e jetës së protestuesve.
Unioni Turistik Shqiptar apelon për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, të cilat do të ndihmojnë në uljen e tensioneve. Natyrisht, në këtë rast, qeveria duhet të hapë rrugën e dialogut. Por edhe studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, me të cilët të negociohet.
Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet me seriozitet dhe respekt nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të garantohet paqja sociale, siguria dhe vazhdimësia e zhvillimit ekonomik të vendit.


