Nga Destan JONUZI
Përpjekja për ta shpallur VLEN-in përgjegjës për një fitore të mundshme të VMRO-DPMNE-së në Bërvenicë, pa u mbajtur ende votimi, ngjan më shumë me propagandë partiake sesa me analizë serioze. BDI-ja dhe AKI-ja duhet të japin llogari për bilancin e tyre politik, në vend që çdo problem t’ua faturojnë të tjerëve.
1. Pretendimi se votuesit e VLEN-it do ta mbështesin automatikisht VMRO-në në raundin e dytë është spekulim. Votuesit nuk janë pronë e as BDI-së, as AKI-së dhe as VLEN-it. AKI-ja nuk mund ta trajtojë elektoratin shqiptar sikur ai duhet të rreshtohet pas saj vetëm sepse kështu i leverdis kalkulimi partiak.
2. Rasti i Haqim Ramadanit nuk është argument që mund të përdoret për ta shpallur paraprakisht të dështuar Jakup Useinin. Çdo komunë, kandidat dhe proces zgjedhor ka rrethanat e veta. Ta shndërrosh një rast të kaluar në armë kundër VLEN-it është përpjekje për ta zëvendësuar debatin për programin dhe besimin e qytetarëve me frikë politike.
3. Nëse AKI-ja pretendon se VMRO-ja përdor mekanizma shtetërorë, ndikime apo para për të siguruar vota, le t’i paraqesë provat konkrete. Akuza të tilla nuk bëhen fakte vetëm pse përsëriten. Po aq e pabazë është që çdo rezultat i pafavorshëm për partitë shqiptare të përdoret për ta shpallur VLEN-in fajtor, ndërsa BDI-ja të shmangë përgjegjësinë për dobësitë e veta.
4. Edhe Buteli nuk është formulë që mund të kopjohet e të zbatohet automatikisht në Bërvenicë. AKI-ja nuk mund ta përdorë çdo humbje apo rezultat të kaluar si kërcënim ndaj VLEN-it. Në vend të skenarëve të frikës, qytetarët meritojnë argumente, programe dhe përgjegjësi.
Bërvenica nuk është pronë politike e BDI-së dhe as test që AKI-ja ka të drejtë ta interpretojë sipas interesit të saj. Vota u takon qytetarëve, ndërsa asnjë parti nuk mund ta shpallë veten përfaqësuese të vetme të shqiptarëve dhe t’i fajësojë të tjerët për çdo rezultat që nuk i përshtatet.


