Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) do të iniciojë procedurë disiplinore ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe do t’i suspendojë ata për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë përdorimit të forcës fizike në një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, transmeton ZYRTARE.net
Sipas njoftimit të MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2026, kur punonjësit e policisë dyshohet se kanë përdorur forcë të tepruar fizike dhe kanë shkaktuar lëndime trupore ndaj personave gjatë ushtrimit të autorizimeve policore.
Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale ka ndërmarrë masa për zbardhjen e rastit. Nga verifikimet, incizimet e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve, janë konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e policëve.
Për këtë arsye, ndaj gjashtë punonjësve të policisë do të iniciohet procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë, ndërsa masa e paraparë është largimi i përkohshëm nga vendi i punës, përkatësisht suspendimi.
Ndërkohë, lidhur me kallëzimet për aspektet penale-juridike të rastit, prokuroritë kompetente kanë dhënë urdhra për ekspertiza, mbi bazën e të cilave po veprojnë institucionet përkatëse.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të provave, do të dorëzohen parashtresat përkatëse.


