Një enë e vogël gjaku në retinë mund të jetë shenja e parë e një diabeti ende të padiagnostikuar, ndërsa një inflamacion i syrit mund të sinjalizojë një sëmundje autoimune.
Në botë, më shumë se 2.2 miliardë njerëz jetojnë me probleme të shikimit ose verbëri. Të paktën gjysma e këtyre rasteve mund të parandalohen ose trajtohen përmes diagnostikimit të hershëm, trajtimit të duhur dhe aksesit në shërbimet shëndetësore.
Diagnoza e vonuar mund të ndodhë sepse simptomat shfaqen kur dëmtimi mund të jetë tashmë i avancuar dhe i pakthyeshëm.
Kontrollet ndryshojnë edhe sipas moshës.
Te fëmijët, diagnostikimi i vonuar i ambliopisë, ose “syrit dembel”, mund të shkaktojë pasoja të përhershme. Te të rinjtë duhet pasur kujdes edhe ndaj keratokonusit, ndërsa me rritjen e moshës shtohet rreziku për degjenerimin makular.
Një nga aspektet më të rëndësishme është se retina mund të japë informacion edhe për gjendjen e përgjithshme të organizmit. Ajo është një nga zonat e pakta ku mjeku mund të vëzhgojë drejtpërdrejt dhe në mënyrë jo invazive enët e vogla të gjakut dhe strukturat nervore.
Ndryshime të caktuara në retinë mund të ngrenë dyshime për diabet, hipertension ose çrregullime të qarkullimit të gjakut, duke sugjeruar nevojën për analiza dhe kontrolle të mëtejshme.
Megjithatë, specialistët theksojnë se një shenjë në sy nuk do të thotë automatikisht se personi ka diabet apo sëmundje të zemrës. Ajo mund të jetë një sinjal paralajmërues që duhet verifikuar përmes ekzaminimeve të tjera.
Mesazhi kryesor është i qartë:
Kujdesi për sytë nuk lidhet vetëm me shikimin, por mund të ndihmojë edhe në zbulimin e hershëm të problemeve që prekin të gjithë organizmin.


