Një prej pikave më të njohura të shopping-ut në Shibuya mbyll sot dyert pas 58 vitesh. Seibu Shibuya, department store që ndodhet vetëm pak hapa larg kryqëzimit të famshëm Shibuya Scramble, përfundon aktivitetin më 30 shtator, duke mbyllur një kapitull të gjatë në historinë e modës, retail-it dhe kulturës rinore të Tokios.
Seibu Shibuya u hap në vitin 1968 dhe gjatë dekadave u bë shumë më tepër sesa një vend ku shkohej për të blerë. Dyqani ishte ndër të parët që solli në mënyrë aktive marka ndërkombëtare dhe luajti rol në promovimin e valës së designer brands japoneze. Hapësirat e tij u lidhën gjithashtu me artin dhe kulturën, duke reflektuar transformimin e Shibuya-s në një prej zonave më të rëndësishme për të rinjtë në Japoni.
Në ditën e fundit, vizitorët u mblodhën përpara hapjes dhe shumë prej tyre fotografuan ndërtesën dhe vitrinat për herë të fundit. Për klientët që e kanë frekuentuar për dekada, mbyllja nuk përfaqëson vetëm humbjen e një dyqani, por edhe zhdukjen e një vendi të lidhur me kujtime personale dhe me një mënyrë tjetër të të bërit shopping.
Historia e Seibu Shibuya tregon edhe ndryshimin e retail-it në qytetet e mëdha. Department stores dikur ishin vende ku zbuloje modën, produktet e reja dhe kulturën; sot këtë rol e ndajnë me shopping-un online, rrjetet sociale, concept stores dhe pop-up-et. Për 58 vite Seibu nuk ishte thjesht një dyqan në Shibuya, ishte një nga vendet që ndihmoi vetë Shibuya-n të bëhej simbol i modës dhe kulturës rinore japoneze.

