Një ushqim i zakonshëm i mëngjesit mund të ketë një lidhje interesante me shëndetin e zorrës së trashë. Një studim i kryer nga studiues të Mass General Brigham në SHBA, që analizoi të dhënat e më shumë se 150 mijë personave të ndjekur për disa dekada, ka zbuluar se konsumimi i rregullt i kosit duket se lidhet me një rrezik më të ulët të një forme specifike të kancerit kolorektal. Sipas rezultateve, personat që konsumonin dy ose më shumë porcione kos në javë, në një periudhë afatgjatë, kishin rreth 20% më pak rrezik për të zhvilluar një lloj të veçantë të tumorit kolorektal: atë që shfaqet në pjesën e afërt, ose të djathtë, të zorrës së trashë dhe që është pozitiv për bakterin Bifidobacterium.
Studiuesit analizuan të dhëna nga dy studime të mëparshme amerikane, Nurses’ Health Study dhe Health Professionals Follow-up Study, të cilat kanë ndjekur për dekada stilin e jetesës, ushqyerjen dhe gjendjen shëndetësore të pjesëmarrësve. Në total, të dhënat përfshinin më shumë se 150 mijë persona. Gjatë periudhës së ndjekjes, 3,079 pjesëmarrës zhvilluan kancer kolorektal. Studiuesit më pas analizuan mostrat e indeve tumorale të më shumë se 1 mijë pacientëve.
Në rreth 31% të rasteve u gjet prania e bakterit Bifidobacterium, një mikroorganizëm që normalisht gjendet në mikrobiotën e zorrëve. Kur këto të dhëna u krahasuan me informacionin mbi konsumimin e kosit, studiuesit vunë re se konsumi i rregullt i tij ishte i lidhur me një ulje prej 20% të rrezikut për tumoret e pjesës së afërt të zorrës së trashë që ishin pozitive për Bifidobacterium. Megjithatë, studimi nuk gjeti një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumimit të kosit dhe uljes së rrezikut të përgjithshëm për kancerin kolorektal.
Një nga hipotezat e studiuesve lidhet me mënyrën se si kosi mund të ndikojë në mikrobiotën e zorrëve – komunitetin e mikroorganizmave që jetojnë në aparatin tretës dhe që luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e organizmit. Studiuesit theksojnë se rezultatet i shtohen provave që lidhin ushqyerjen, mikrobiomën e zorrëve dhe rrezikun e kancerit kolorektal.
Megjithatë, autorët nënvizojnë se nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë mekanizmin përmes të cilit ndryshimet në mikrobiomë, të lidhura me konsumimin e kosit, mund të ndikojnë në këtë formë specifike të kancerit. Pra, rezultatet janë një lidhje statistikore e vërejtur në studim, dhe jo dëshmi se kosi mund të parandalojë ose kurojnë kancerin.


