Kosova pritet të bëjë një hap të ri drejt përfundimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe delegacioni i Fondit Saudit për Zhvillim kanë diskutuar për financimin dhe procedurat për segmentin e fundit të kësaj rruge, ndërsa në fokus ka qenë edhe një projekt i ri në sektorin e shëndetësisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja për segmentin e fundit të rrugës tashmë është nënshkruar dhe ratifikuar, ndërsa punimet pritet të nisin së shpejti.
“Ne sapo përfunduam një takim që kishim pas vizitës së delegacionit nga Fondi Saudit për Zhvillim që kishim në rrugën për Mitrovicë, pra në segmentin tashmë të përfunduar, segment i cili ka qenë i financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Dhe siç e dini, ne tashmë kemi nënshkruar dhe është ratifikuar edhe marrëveshja ndërkombëtare për pjesën e dytë pra të këtij segmenti, pra rrugës prej Smrekonicës që vazhdon pra deri në Mitrovicë. Pra që kompleton të gjithë segmentin e rrugës apo rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Marrëveshja tashmë siç e thashë është nënshkruar dhe ratifikuar, dhe parashihet që punimet të fillojnë së shpejti, por për këtë do t’ia kaloj fjalën ministrit Basha”, ka thënë ai.
Murati tha se në takim është diskutuar edhe për financimin e një projekti të ri në sektorin e shëndetësisë.
“Ndërkaq gjithashtu gjatë takimit diskutuam edhe për projektin tjetër, pra për të cilin jemi në negociata e që ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë. Pra do të jetë spitali i ri i pulmologjisë apo mushkërive, i cili parashihet ka financim në vlerë prej 20 milionë dollarëve, në mënyrë që të sigurohet një hapësirë moderne me teknologjinë më të fundit në hapësirat e QKUK-së. Pra aty parashihet që të bëhet ndërtimi, por edhe për këtë nëse ka nevojë për detaje shtesë, ministri Vitia. Unë nuk po e zgjas më tepër, ja po ia kaloj fjalën zotëri Al-Marshad”, shtoi Murati.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me Kosovën.
“Është kënaqësi e ime e madhe të jem këtu sot në këtë vend të bukur, Kosovë, për të inauguruar projektin e parë të përfunduar në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Dhe vitin e kaluar kemi nënshkruar një tjetër segment për të njëjtën rrugë për t’u financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Jemi shumë krenarë që jemi partner zhvillimor me Kosovën dhe do të donim të vazhdojmë partneritetin tone”, tha ai.
Ai tha se shpreson që marrëveshja për projektin në sektorin e shëndetësisë të nënshkruhet së shpejti.
“Gjithashtu kemi diskutuar për një projekt shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Mezi po presim ta nënshkruajmë së shpejti këtë marrëveshje huaje për financimin e këtij projekti, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por shpresojmë ta nënshkruajmë shumë shpejt me vëllain tonë Ministrin e Financave dhe ministritë e tjera”, deklaroi ai.
Al-Marshad tha se Fondi Saudit për Zhvillim është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për projektet zhvillimore në Kosovë.
“Kemi pasur një diskutim frytdhënës rreth projekteve zhvillimore në Kosovë dhe se sa ndikim kanë ato për njerëzit. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për të mbështetur projektet e infrastrukturës në Kosovë”, ka deklaruar ai./EO


