“Jo në emrin tim”, ka thënë Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kur moderatori Ermal Panduri e ka pyetur nëse vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte edhe në emrin e saj.
Pyetja iu drejtua pasi gjyqtari Smith, gjatë leximit të vendimit, tha se ai jepej në emër të popullit të Kosovës.
Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe aktualisht ushtruese e detyrës së Presidentes, kujtoi se më 3 gusht 2015 ishte votuar amendamenti kushtetues për Gjykatën Speciale. Ajo tha se Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe atëherë, e kishte kundërshtuar fuqishëm themelimin e gjykatës.
“Më kujtohet sikur sot sa shumë takime e tubime kemi pasur në lagje, fshatra dhe në mërgatë për t’u treguar qytetarëve sa e dëmshme është kjo gjykatë”, tha Haxhiu.
Ajo u shpreh se gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë ishte përpjekur t’i ndiqte seancat gjyqësore dhe se zhvillimet në proces i kishin rikthyer kritikat që partia e saj kishte ngritur më herët ndaj Gjykatës Speciale.
“Nuk është koha tani të flasim për atë që kemi thënë, mirëpo në emrin tim jo, natyrisht. Ne e kemi kundërshtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por ajo e shpalli të papranueshme kërkesën tonë. Tani i vuajmë pasojat e vendimeve të padrejta të asaj kohe”, tha Haxhiu.
E pyetur për mbështetjen financiare të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, Haxhiu tha se qeverisë i është thënë vazhdimisht se e ka ulur këtë mbështetje. Sipas saj, raporti i auditimit ka kërkuar vendosjen e një tavani dhe financimin e mbrojtjes në përputhje me ligjin, pa mundësi për mjete të pakufizuara.


