
Një kartë digjitale studentore do t’u mundësojë studentëve të universiteteve shtetërore në Shkup të përdorin transportin publik falas përmes telefonit celular, pa pasur nevojë për vërtetime në letër dhe vizita në pikat e shitjes së biletave. NTP Shkup e nis sistemin e ri me mbështetjen e Qytetit të Shkupit dhe në bashkëpunim me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Zgjidhja e re do të përfshijë studentët e universiteteve shtetërore në kryeqytet, përfshirë edhe ata që studiojnë në Universitetin “Nënë Tereza”.
Verifikimi i statusit studentor do të bëhet automatikisht, përmes sinkronizimit digjital të të dhënave ndërmjet NTP Shkup dhe universiteteve. Kështu eliminohet nevoja që studentët të mbajnë vërtetime në letër apo të shkojnë në pikat e shitjes së biletave për verifikimin e kartës.
Çdo student do të marrë udhëzime në adresën e tij elektronike, pas së cilës karta mund të aktivizohet përmes aplikacionit mobil SkopjeBus. Gjatë kyçjes, studentët duhet të përdorin të njëjtën adresë elektronike që kanë përdorur gjatë regjistrimit në universitet.
Karta e aktivizuar do të jetë e disponueshme në aplikacion në formën e një kodi QR. Studentët do ta skanojnë kodin në validator gjatë çdo udhëtimi me transportin publik.
NTP ende nuk ka bërë të ditur datën e saktë se kur karta digjitale do të jetë aktive për të gjithë studentët. Nga ndërmarrja njoftojnë se përdoruesit do të marrin me kohë informacione të detajuara për procedurën e aktivizimit dhe përdorimit të saj.


