Në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Jorida Tabaku tha se opozita e mbështet procesin e anëtarësimit, por do të jetë kritike “sa herë që ai nuk ecën në binarët e duhur.”
Deputetja u shpreh se parlamenti nuk mbron interesin publik, por ato të pakicës, kryen konsultime jo efektive, ka ngritur agjenci e shoqëri pa transparencë e llogaridhënie. Gjithashtu shtoi se reforma zgjedhore e territoriale është e njëanshme.
“Fatkeqësisht, parlamenti, i cili duhet të jetë mbrojtësi i interesit publik, është shndërruar në promotor të interesave të pakicës dhe në shkelës të ligjit dhe frymës së Kushtetutës. Kjo sjellje e pandershme ndaj qytetarëve shqiptarë dhe aspak në linjë me procesin e integrimit është vërejtur edhe nga Komisioni Europian. Në raportin e vitit 2026 për shtetin e së drejtës ngrihet sërish shqetësimi për konsultimet joefektive dhe për nismat që paraqiten në momentin e fundit nga deputetët, duke cenuar transparencën dhe kontrollin parlamentar. Së dyti, kjo mënyrë funksionimi e Kuvendit ka prodhuar një sërë agjencish dhe shoqërish që bien ndesh me parimet e procesit të integrimit dhe të shtetit ligjor. Në këto struktura mungojnë transparenca dhe llogaridhënia, duke e kthyer demokracinë tonë në një demokraci deficitare. Dy reforma të rëndësishme, reforma zgjedhore, e cila duhet të mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dhe reforma territoriale, po zhvillohen në mënyrë të njëanshme. Një reformë pa konsultim dhe në dëm të interesit publik nuk sjell decentralizim. Ajo i shërben përqendrimit të mëtejshëm të pushtetit”, tha Tabaku.
Taulant Balla mohoi akuzat e opozitës në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE se ligjet e hartuara nga Kuvendi janë me porosi. Ai i ftoi t’i drejtohen drejtësisë, ndërsa shtoi se Paketa e Maleve për të cilën opozita ka kërkuar shfuqizim, sjell mundësi zhvillimi.
Për reformën territoriale që opozita e quan “të njëanshme”, Balla tha se komisionit i mbaroi afati, ndërsa ai nuk e sheh si një reformë të thellë.
“Nuk është e vërtetë që Kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drejtoheni organeve të drejtësisë.
Sa i takon Paketës së Maleve do t’i japë zonave të ndryshme mundësi zhvillimi për një sektor që është jetik për ne, agroturizmi.
Për territorialen, duhet të jemi korrekt: atij komisioni i përfundoi mandati dhe nuk pati dakordësi për zgjatjen e afatit. Procedura parlamentare nuk ka përfunduar, sapo ka kaluar në fazën e shqyrtimit në parlament. Nuk është një reformë e thellë, kalohet nga 61 në 46”, tha Balla.


