Komisioni i Formula 1 pranë FIA-s, organit drejtues të sportit automobilistik, ka rënë dakord që duke nisur nga viti 2027, distanca standarde e garave të Çmimit të Madh të reduktohet nga 305 në 290 kilometra.
Kjo nënkupton që garat do të zhvillohen me dy ose tre xhiro më pak.
Sipas një deklarate pas mbledhjes së zhvilluar në zyrat e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit në Londër, Komisioni miratoi edhe ndryshimet që lidhen edhe me rrjedhën e karburantit.
Komisioni vendosi gjithashtu të heqë kufirin aktual prej tre orësh nga starti deri në përfundimin e garës, ku përfshihen edhe ndërprerjet e shkaktuara nga shiu apo faktorë të tjerë.
Megjithatë, do të mbetet në fuqi kufiri prej dy orësh për kohën e garimit efektiv, ndërsa për garat e ndërprera do të vendoset një afat i përcaktuar për përfundimin e aktivitetit në pistë.
Sipas FIA-s, synimi është t’u jepet tifozëve mundësia më e mirë për të ndjekur një garë sa më të plotë edhe kur ajo ndërpritet për arsye të ndryshme.
Komisioni ra dakord gjithashtu që organizatorët të kenë më shumë fleksibilitet për të zgjatur seancat e provave të lira, në rast se ato ndërpriten.
Ndërkohë, homologimi i kutisë së shpejtësive do të hiqet nga viti 2027, pas konsultimeve me prodhuesit dhe një rekomandimi nga Komiteti Këshillimor Sportiv.
Sipas FIA-s, ky ndryshim do t’u japë prodhuesve më shumë liri në zhvillimin e kutive të shpejtësive.


